Maqedonci takohet me ministrin turk, Guler, flasin edhe për fabrikën e municionit
Ministri në detyrë i Mbrojtjes Ejup Maqedonci, ka pritur në takim ministrin turk Yasar Guler, me të cilin tha se ka diskutuar për situatën e sigurisë. E veçanta e këtij takimi sipas Maqedoncit ishte se floën edhe për fabrikën e municionit.
E plotë:
Sot pata nderin të takohem me ministrin Yaşar Güler, një takim produktiv ku diskutuam mbi situatën gjeopolitike aktuale, avancimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndërsa theksova rëndësinë e mbështetjes që po marrim nga Turqia. Bashkëbisedimi me ministrin Guler ishte jashtëzakonisht pozitiv gjersa shtjelluam mundësi të reja bashkëpunimi me qëllim ngritjen e kapaciteteve të reja të ushtrisë së Kosovës.
E veçanta e këtij takimi ishte diskutimi mbi rolin strategjik që do të ketë Kosova në rajon pas funksionalizimit të fabrikës së municionit. Ky projekt do të rrisë ndjeshëm aftësitë e FSK-së, do të mundësoj vet-qëndrueshmëri logjistike dhe do të kontribuojë në stabilitetin e përgjithshëm të rajonit. Kosova, duke forcuar strukturat e saj mbrojtëse, do të jetë në një pozicion më të mirë për të kontribuar në sigurinë rajonale dhe për të ndihmuar në promovimin e paqes dhe stabilitetit.
Theksova rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve, duke sjellë në vëmendje se marrëdhëniet tona janë thelbësore për stabilitetin dhe sigurinë në rajon, ndërsa u dakorduam për vazhdimësinë e bashkëpunimit si element kyç, strategjik për sigurinë e rajonit.