MAPL demanton Listën Serbe: Qeveria s’ka urdhëruar gërmime në varrezat ortodokse në veri
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), ka mohuar pretendimet e Listës Serbe se Qeveria e Kosovës ka urdhëruar gërmime në varrezat ortodokse në veri të Kosovës. Akuzat e partisë më të madhe serbe në vend, MAPL i cilëson si krejtësisht të pavërteta dhe të paqëndrueshme.
“Akuzat e subjektit ‘Lista Serbe’ se Qeveria e Republikës së Kosovës ka urdhëruar gërmime në varrezat ortodokse në veri të Mitrovicës janë krejtësisht të pavërteta dhe të paqëndrueshme. Duam të njoftojmë opinionin publik se nuk ka asnjë vendim as nga Qeveria e Republikës së Kosovës e as nga komuna për ndonjë punim të tillë”, thuhet në njoftim.
MAPL ka sqaruar edhe mënyrën e subvencionimit për renovimin e shtëpive për komunitetet joshumicë.
“Në anën tjetër, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, sqaron se në kuadër të skemës për ndërtimin dhe renovimin e shtëpive për komunitetet jo shumicë në Komuna, pas vlerësimit nga komisioni profesional ka përzgjedhur të financoj ndërtimin e shtëpisë për pronarin R.C”, thuhet në njoftim.
Tutje, njoftohet se MAPL subvencionon ndërtimin e shtëpisë në sipërfaqe 62m2.
“MAPL, subvencionon vetëm ndërtimin e shtëpisë në sipërfaqe prej 62m2. Përfituesi është i obliguar që të kontraktoj operatorin ekonomik për ndërtimin e shtëpisë dhe përmes subvencionit e kryen pagesën në mënyrë direkte. Në lidhje me hapjen e rrugës dhe dëmtimin e varrezave ortodokse nuk mban asnjë përgjegjësi pasi që ky program financon vetëm ndërtimin e shtëpisë dhe jo infrastrukturën rrugore”, thuhet në njoftim.
