Molliqaj: Deklarata e Qeverisë se ka pranuar planin e ri është lajm i keq
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka thënë se deklarata e sotme nga Qeveria për planin e ri të BE-së është “lajm i keq”
Molliqaj përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se askush nuk duhet të gëzohet për këtë çështje.
“PSD i bën thirrje kryeministrit për më shumë guxim. Vetëm kështu hapen horizontet. Nuk është puna se po bën kompromis, problemi është se asgjë nuk po kryhet. Na duhet marrëveshje me njohje.” – ka shkruar tutje ai.
Postimi i plotë:
Dialogu po merr rrugë, po e vazhdon në fakt rrugën e vjetër. Rrugën që nisi së paku në vitin 2013 kur u pranua për herë të parë Asociacioni.
Deklarata e sotme nga Qeveria është lajm i keq. Kur ishte pranuar Plani Franko-Gjerman, u pat thënë se kemi një bazë të mirë për të vazhduar, për t’u bërë marrëveshje i njëjti plan javë më pas. Tash kryeministri po thotë: “plani është kornizë e mirë për diskutime të mëtejshme”. Kjo është metodologjia VV-së për pranimin.
Askush nuk duhet të gëzohet për këtë gjë. Plani kryesor është neni 7, korniza e mirë e kryeministrit është Asociacioni në qendër. Kosova po e vazhdon agoninë, dy popuj urrejtjen, dy pushtetarë pushtetin.
PSD i bën thirrje kryeministrit për më shumë guxim. Vetëm kështu hapen horizontet. Nuk është puna se po bën kompromis, problemi është se asgjë nuk po kryhet. Na duhet marrëveshje me njohje.