Manxhuka për hektarët e manastirit, thotë se “e bëmë për Këshill të Evropës”, nuk tregon se as aty nuk u anëtarësuam - NACIONALE

Manxhuka për hektarët e manastirit, thotë se “e bëmë për Këshill të Evropës”, nuk tregon se as aty nuk u anëtarësuam

4 muaj më parë

nga NACIONALE

Zëdhënësi i Qeverisë Arlind Manxhuka, përveçse e ka përgënjeshturar ministrin Nenad Rashiq, duke thënë se ai gaboi kur tha se Kurti i kishte thënë “për shkakun tënd” po i bartë Manastiit të Deçanit 24 hektarë, ai u mundua ta shpjegoj procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës.

Manxuka, tha se zbatimi i vendimit për Manastirin e Deçanit u bë nga qeveria sepse u kërkua si parakusht për anëtarësim në Këshillin e Evropës, por nuk e tregoi epilogun e kësaj ndërmarje.

Kosova kishte dështuar të anëtarësohet në Këshill të Evropës. Madje atyre ditëve kishte filluar edhe përplasje ndërmjet atëherë Ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla dhe Presidentes Vjosa Osmani.

Çka tha zëdhënësi i qeverisë:

Çështja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016, vendosjes si kusht nga Këshilli i Evropës, përgjatë procesit të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në vitin 2024 është sqaruar qartë në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës dhe në konferencën për media pas saj, në kohën kur ishte marrë ai vendim.

Në prill 2024, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, me një votim të fuqishëm prej 82%, me ç’rast 131 ishin në favor dhe 29 kundër, i rekomandoi Komitetit të Ministrave që ta ftojë Kosovën të bëhet anëtare e plotë e organizatës.

Zbatimin e aktgjykimit, tashmë të marrë nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2016, Qeveria e Republikës së Kosovës e ka bërë vetëm në dritën e anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe për asgjë tjetër.

Siç dihet, pas vendimit, në mars të vitit 2024, raportuesja Dora Bakoyannis shpërndau raportin e saj, ku konfirmoi që Kosova, pas zbatimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e Manastirit të Deçanit, ka plotësuar të gjitha parakushtet për anëtarësim dhe duhet të ftohet të bëhet anëtare e plotë e Këshillit të Evropës, pa parakushte shtesë.

Që nga dita e parë në Kurti 2 në mars 2021, nga ambasadorët e Quint-it por edhe nga ministri Rashiq është kërkuar zbatimi i aktgjykimit të GjK, por kjo ka ndodhur vetëm në kuadër të bisedimeve me raportuesen e Këshillit të Evropës, Bakoyannis, tre vjet më vonë, në mars 2024.

Ajo çka ka ngatërruar ministri Nenad Rashiq është pranimi i kërkesës së tij për vizitë të Patriarkut Porfirije, për Krishtlindjet ortodokse të vitit 2023, siç mund ta shihni në fotografinë më poshtë.

Lajme të ngjashme