Macedonci: Serbia ka vendosur 3 brigada jo shumë larg kufirit me Kosovën
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Macedonci, ka ngritur shqetësimin për përshkallëzimin e tensioneve në Ballkanin Perëndimor. Duke folur për A2 CNN, ai theksoi afërsinë e tri brigadave serbe me kufirin e Kosovës, duke theksuar kërcënimin që paraqet për paqen dhe sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare.
“Kryeministri Kurti e ka thënë shumë herë që militarizimi i Serbisë paraqet kërcënim të përhershëm për paqen e stabilitetin jo vetëm për Ballkanin Perëndimor, por edhe më gjerë. Ky militarizim po bëhet në vazhdimësi. Kemi një rritje të buxhetit për mbrojtjen në Serbi. Një pajisje me sistem armatimi nga Rusia, Kina e Irani.
Një zbarkim i trupave serbe jo larg territorit tonë tre nga 4 brigada serbe janë vendosur në jug të Serbisë, jo shumë larg kufirit me Kosovën. Këto 3 brigada kanë tejzgjatje operacionale 28 baza ushtarake dhe 20 të xhandarmërisë që janë në distancë nga 300 metra deri 5 km larg kufirit të Kosovës. Duke i shtuar mbështetjes që i kanë dhënë grupit të Raidoçiç vitin e kaluar më 24 shtator në tentativën e tij, për të aneksuar pjesë nga territori ynë, ne vlerësojmë që Serbia vazhdon të jetë kërcënim për paqen dhe sigurinë, jo vetëm për Ballkanin perëndimor, por edhe më gjerë”, tha ai.