Lushtaku: Komunat në protestë më 1 shtator, kundër centralizimit
Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka bërë thirrje për pjesëmarrje në protestën e komunave të Kosovës, e cila do të mbahet të martën, më 1 shtator, para Qeverisë së Kosovës.
Lushtaku ka deklaruar se protesta synon mbrojtjen e kompetencave dhe të drejtave kushtetuese të pushtetit lokal, duke kundërshtuar atë që e cilëson si përpjekje për centralizimin e kompetencave komunale.
Sipas tij, çështja e Kontratës Kolektive ka rënduar buxhetet e komunave me qindra miliona euro, mjete që, siç thekson Lushtaku, do të mund të përdoreshin për investime në rrugë, shkolla, çerdhe dhe shërbime publike.
Lushtaku ka thënë se komunat janë niveli i qeverisjes më i afërt me qytetarët dhe se kompetencat e tyre janë të garantuara me Kushtetutë dhe ligje. Ai e ka cilësuar protestën e 1 shtatorit si një qëndrim të përbashkët të komunave në mbrojtje të vetëqeverisjes lokale, ligjshmërisë dhe demokracisë.