Lushtaku e LDK-së i përgjigjet VV-së, e quan “Lëvizja Video – Vendosëse”
Lëvizja Vetëvendosje, ka vazhduar publikimin e videove ku fajësohen pushtetet e kaluara. Kësaj radhe, cak i partisë në pushtet ka qenë Lidhja Demokratike e Kosovës e cila akuzohet nga VV se nuk ofroi asgjë për të kapërcyer situatën e rënduar ekonomike të vendit.
Ndaj kësaj videoje, ka reaguar Kryetarja e Forumit të Gruas në LDK, duke e quajtur këtë partinë në pushtet si “Lëvizje Video-Vendosëse”.
Kryetarja e Forumit të Gruas të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu ka thënë se VV-ja është parti populsite dhe e paaftë, si dhe të dëmshme për Kosovën.
“Shtëpia propaganduese LVV paska vazhduar me sulme ndaj lidershipit të LDK-së duke fabrikuar dobët. Ju jeni veç populista të paaftë, e të dëmshëm për Kosovën. Këtë po e vuajnë qytetarët, s’kanë nevojë për video nga ju. Videot s’hahen”, thotë Lushaku-Sadriu në një reagim në llogarinë e saj në Facebook.
Lushtaku thotë VV janë rritur me gënjeshtra dhe nuk e kanë pranuar shtetin dhe simbolët e Kosovës.
“Ja keni vënë flakën Kuvendit për marrëveshje të cilat sot jeni bërë gardian të tyre; Demarkacionin s’e përmendët dje në vizitë; Negocioni me Serbinë natë e ditë pa transparencë. S’po flas asgjë për kontratat njëburimore, nepotizmin, shkeljet e Kushtetutës nga ministrat, inflacionin që e ulni rrejshëm, vendimet joligjore- dënimet që paguhen me taksat tona për keqqeverisjen e ministrive, glorifikimin e kriminelëve të luftës nga Kurti, e AFERAT milionëshe të Ambasadorit me para të Beogradit, që s’keni guxim as me emër t’i drejtoheni: Martinit, pra”, - shkroi kryetarja e Forumit të Gruas të LDK-së.
