Lushi tregon prapaskenat: Serwer i kishte kundërshtuar mizorisht Kurtin e Shpend Ahmetin
Uk Lushi, ish-ushtar i UÇK-së në batalianon “Atlantiku”, ka shkruar një status, në të cilin ka treguar prapaskenat e një takimi të viteve më parë.
Sipas Lushit, Daniel Serwer, profesor amerikan, kishte kundërshtuar mizorisht Albin Kurti dhe Shpend Ahmetin para disa vitesh në Amerikë.
“Daniel Serwer i pat kundërshtuar mizorisht Albin Kurtin dhe Shpend A. Ahmetin para disa vitesh në Amerikë kur këta dy patën paraqitjen e tyre të parë publike para audiencës amerikane. Idetë dhe pozicionet e Kurtit dhe Ahmetit ishin të mira. Fatkeqësisht ato u sulmuan edhe më pas nga Serwer dhe klani i tij. Serwer e pat sulmuar VV-në po aq pamëshirshëm edhe kur u bënë protestat te Dheu i Bardhë duke ndikuar negativisht në imazhin e Kurtit dhe VV-së në kuloaret dhe zyret e Washington DC.” – ka shkruar Lushi, ndër të tjera.
Tutje, ai ka kritikuar edhe Qeverinë Kurti.
“Sot, pabesueshëm, Kurti po i lëpihet një Serweri që është një plak pa influencë dhe mbase edhe e paguan si po pagon shumë njerëz pa peshë, pa dije dhe pa rëndësi.
Z. Kurti, Serwer është borë e parvjeme. Duhet qasje krejt tjetër në Amerikë dhe me politikën amerikane. Për korrektesë, nuk je krejt vetëm në këtë trullim, shumica e politikanëve në Prishtinë po vrapojnë pas personaliteteve që kanë bërë shumë për shqiptarët kur ishin në zenitin e tyre, por sot nuk munden sepse janë gati aspak relevantë” – ka shkruar ai.