Lumir Abdixhiku bën bashkë liderët shqiptarë në Serbi, apelon të regjistrohet popullsia
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka mbajtur sot një takim të përbashkët me liderët e Luginës.
Abdixhiku duket se i ka bërë bashkë politikanët shqiptarë në Serbi, në një darkë pune ku i pranishëm ishte edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.
Abdixhiku përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se ka apeluar që shqiptarët të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë në tri komunat shqiptare.
“Si LDK, do të angazhohemi me të gjitha kapacitetet tona politike në unifikimin e spektrit politik shqiptar në çështjet me interes kombëtar; për të drejtat politike dhe civile të shqiptarëve të kësaj ane që sot jetojnë në Kosovë - me theks sigurimin e nënshtetësisë; si dhe ndihmesën shtetërore për banorët e komunave në fjalë”, ka thënë ai.
Postimi i plotë:
THIRRJE PËR REGJISTRIM PAS TAKIMIT TË PËRBASHKËT ME LIDERËT E LUGINËS
Sonte, në Prishtinë, së bashku me nënkryetarin e LDK-së, Lutfi Haziri, kam pritur në darkë pune të gjithë udhëheqësit partiak dhe liderët institucional të shqiptarëve të Luginës.
Së bashku me kryetarin e PVD-së dhe deputetin, z. Shaip Kamberi; kryetarin e Alternativës për Ndryshim dhe kryetarin e Komunës së Preshevës, z. Shqiprim Arifi; kryetarin e PD-së dhe kryetarin e Komunës së Bujanocit, z. Nagip Arifi; kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, z. Ragmi Mustafi; kryesuesin e Kuvendit Komunal në Preshevë, z. Sami Salihu; kryetarin e LPD-së z. Shqiprim Musliu; kryetarin e AFEDS, z. Muharrem Salihu; dhe kryetarin e VATRA-s, z. Kushtrim Kadriu - biseduam mbi gjendjen e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.
Nga ky takim, dolëm dhe me apel të përbashkët për të gjithë shqiptarët e kësaj ane - ata që jetojnë në Luginë, Kosovë e Mërgatë - që të marrin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë në tre komunat shqiptare. Regjistrimi masiv është përgjigje ndaj diskriminimit strukturor ndaj shqiptarëve të Luginës, siç dhe është kontribut patriotik në avancimin e të drejtave autoktone të shqiptarëve të Luginës.
Si LDK, do të angazhohemi me të gjitha kapacitetet tona politike në unifikimin e spektrit politik shqiptar në çështjet me interes kombëtar; për të drejtat politike dhe civile të shqiptarëve të kësaj ane që sot jetojnë në Kosovë - me theks sigurimin e nënshtetësisë; si dhe ndihmesën shtetërore për banorët e komunave në fjalë.
