Lulzim Peci: ShBA-ja e ka tërhequr përkrahjen që ka pasur për Kosovën, sanksion më të madh nuk ka
Ish-diplomati kosovar, aktualisht drejtor i KIPRED, Lulzim Peci ka thënë se ShBA-ja ia ka tërhequr Kosovën përkrahjen që e ka pasur përpara.
Në një intervistë për “REL”, ai ka thënë se ky është sanksioni më i madh që është bërë.
“Po sanksionimin më të madh që na e ka bërë SHBA-ja, është që Kosovës ia ka tërhequr përkrahjen që e ka pasur përpara. Sanksion më të madh nuk ka.” – ka thënë ai kur është pyetur në lidhje me sanksionet.
Ndryshe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë reaguar ashpër Qeverisë së Kosovës pas aksionit në veri, ku u mbyllën nëntë degë të Postës Serbe.
"Qeveria e SHBA është thellësisht e zhgënjyer nga veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës kundër degëve të postave serbe në veri të Kosovës. Veprimet e pakoordinuara të Kosovës i vënë qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it në rrezik më të madh, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar.Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të ndërpresë çdo veprim të mëtejshëm të njëanshëm dhe t'i kthehet angazhimit konstruktiv në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë." - thuhej në reagim.