Lladrovcit nuk i mjafton dorëheqja e Krasniqit: Nuk po adresohet përgjegjësia për bedelët nëpër degë
Kryetarit të Drenasit, Ramiz Lladrovci, nuk po i mjafton dorëheqja e kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi.
Ai ka bërë me dije se nuk po adresohet përgjegjësia e organizimit dhe strukturës së partisë për “bedelët” nëpër degë.
Në profilin e tij në “Facebook”, Lladrovci ka shkruar se ata që kanë dështuar në zgjedhjet lokale duhet të marrin përgjegjësi.
“Dy ditë, deklarime, përgëzime dhe urime nga drejtues qendror e lokal të PDK-së dhe qytetarë, kanë vënë në pah të kaluaren dhe zotimin për unitet, pas dorëheqjes së z. Krasniqi. Qëndrime miqësore e me mirëkuptim, është e kuptueshme. Megjithatë, nuk po adresohet përgjegjësia e organizimit dhe strukturës së partisë, për bedelët nëpër degë, apo për dështimin kapital për të bërë opozitë kundër qeverisjes aktuale që është më e keqja që nga çlirimi. Për hir të unitetit, nuk po thuhet se ku u gabua, pozita dhe opozita më e madhe në Drenas janë PDK, vendimmarrësit nuk duan të cekin ende se PDK ka fituar në shtatë komuna”, ka shkruar ai.
Tutje, ai ka treguar se çka pret nga kryetari i ri i PDK-së.
“Vepra ime jetësore është e pandashme nga Hashimi, Kadriu, Jakupi dhe atdhetarët tjerë, ky fakt nuk do të duhej të keqpërdorej. Pres që kandidati për kryetar të PDK-së ta ketë Platformën dhe deklaratën politike, pres ta prezantoj kryesinë e ngushtë dhe të gjerë e cila do të jetë e aftë ta largojë qeverinë aktuale nga degradimi i mëtejmë i shtetit. Megjithëse nuk jam në Kosovë, zhvillimet në Kuvendin e PDK-së të hënën do ti ndjek me interesim, duke pritur përgjigjen se cila është rruga e partisë së heronjve tanë të luftës dhe paqes. PDK është vetë liria dhe shteti i Kosovës!”, ka shkruar Lladrovci.