Lista Serbe: QUINT-i do të jetë bashkëfajtor i drejtpërdrejtë nëse ka eksod të serbëve nga Kosova - NACIONALE

Lista Serbe: QUINT-i do të jetë bashkëfajtor i drejtpërdrejtë nëse ka eksod të serbëve nga Kosova

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Zlatan Elek, kreu i Listës Serbe ka thënë se QUINT-i është përgjegjës për veprimet e kryeministrit Albin Kurti, në një reagim tjetër të tyre rreth ndalimit të dinarit.

Në një konferencë për media, sipas “Kossev”, ai citohet të ketë thënë se edhe pse kanë pasur takime dhe kontakte me përfaqësuesit ndërkombëtar, “spastrimi etnik” i serbëve të Kosovës është duke u zhvilluar.

“Ata do të jenë bashkëfajtorë të drejtpërdrejtë nëse do të ketë eksod të popullit serb nga Kosova” – raportohet se ka thënë ai.

Po ashtu, sipas raportimit, Lista Serbe do t’ua nis edhe një letër shteteve anëtare të QUINT-it.

Ndërkohë, në një deklaratë të dhënë gjatë kësaj jave para mediave, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier ka përmendur mundësinë e eskalimit të situatës pas këtij vendimi.

“Ne mendojmë që kjo çështje meriton konsideratë më të kujdesshme, por edhe diskutim në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Jemi të shqetësuar që potencialisht do të eskalojë tensionet etnike dhe të tregohet problematik për jetët e përditshme të një numri të qytetarëve të Kosovës. Jemi duke shpresuar që Qeveria e Kosovës do të gjejë një rrugë që të realizojë atë që është thënë nga zëvendëskryeministri Bislimi, që është që të kemi një lloj, nuk arrij të kujtoj termin e saktë që ai e përdori, një periudhë tranzicioni ” – ka thënë ai.

Lajme të ngjashme