Limaj sot pritet t`i vizitojë krerët e UÇK-së: Ata nuk janë në Hagë për çështje personale
Lideri i Nismës, Fatmir Limaj, sot do t`i vizitojë ish-krerët e UÇK-së, të cilët prej dy vitesh gjendën në paraburgim në Hagë.
Ai ka thënë se këtë po e bën në 17-vjetorin e lirimit të tij nga Tribunali i Hagës.
Limaj ka thënë se ish-krerët e UÇK-së nuk janë në Hagë për çështje personale, por për të zhvilluar betejën e fundit për pavarësinë e Kosovës.
“Emocion i veçantë që pikërisht në 17-vjetorin e lirimit tim nga Tribunali i Hagës t’i vizitoj bashkëluftëtarët e mi që ndodhen në objektin pas meje. Asnjëherë nuk e kam menduar që do të kthehem këtu për t’i vizituar krerët e UÇK-së, sepse kam qenë i bindur që jam luftëtari i fundit që futëm këtu dhe që dal nga kjo ndërtese. Bashkëluftëtarët të cilët do t’i vizitoj sot e kanë të qartë që aty nuk janë për çështje personale, por për të zhvilluar betjën e fundit për pavarësinë e Kosovës. Një betejë ndryshe, me mjete të tjera, me mjete ligjore! Ata janë të vetëdishëm që kjo betejë është për historinë e Kosovës. Pikërisht, këtu po tentohet përmbysja e historisë së lavdishme të kombit tonë, jo vetëm për ne që sot jetojmë, por për gjeneratat që do të vijnë edhe pas 100 viteve”, ka thënë Limaj.