Lideri i AAK-së përkujton Agron Haradinajn: Qëndroi gjithmonë i palëkundur
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kujtuar ish-luftëtarin e UÇK-së Agron Haradinaj, i cili ka ndërruar jetë vitin e kaluar.
Ai ka vlerësuar se kushëriri i tij si i ri kishte ndjekur rrugën e atdhedashurisë, të cilën e kishte trashëguar nga babai, Smajl Haradinaj.
Në profilin e tij në “Facebook”, Haradinaj ka shkruar se pavarësisht sfidave ai ka qëndruar gjithmonë i palëkundur.
“Agroni një jetë të tërë ishte në shërbim të Atdheut, para lufte, në luftë e në paqe. Jeta për të nuk ishte aspak e e lehtë, por Agroni qëndroi gjithmonë i palëkundur. Qysh si i ri ai ndoqi rrugën e atdhedashurisë të cilën e kishte trashëguar nga babai, Smajl Haradinaj. Ishte një nga të burgosurit politik më të ri në moshë, kurse gjatë luftës çlirimtare një nga ushtarët e parë të UÇK-së. Sot, në përvjetorin e ndarjes nga jeta të Agronit, nderuam kujtimin për të dhe veprën që la ai pas. Vepra e tij jetësore në shërbim të Atdheut do të kujtohet e nderohet përherë si sinonim i guximit dhe përkushtimit për liri”, ka shkruar Haradinaj.