Lëvizja Vetëvendosje tashmë zyrtarisht edhe në Maqedoni të Veriut, i bashkohet opozitës shqiptare
Opozitës shqiptare në Maqedoni të Veriut zyrtarisht i është bashkëngjitur edhe Lëvizja Vetëvendosje, ka bërë të ditur kreu i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, i cili njoftoi se subjekti LVV do të jetën pjesë e katër partive që i janë bashkuar Lëvizjes Evropiane për Ndryshim.
“Do të thotë nga sot, LEN përbëhet nga katër parti politike. Do të thotë në këto 4 është edhe Vetëvendosja dhe tashmë edhe programin e punojmë bashkërisht, kjo zyre është e përbashkët edhe fushata do të jetë e përbashkët dhe do të jenë pjesë e e listave parlamentare, do të thotë do të jenë të përbashkëta, do të ketë anëtar, përfaqësues të Vetëvendosjes”, tha Mexhiti, siç e citoi TV21.
Ndërkaq këshilltari për Maqedoni të Veriut i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, Bekim Qoku, konfirmoi se tashnë Vetëvendosja do të jetë “shtylla e katërt shqiptare” bashkë me Lëvizjes Demokratike, Alternativën dhe Lëvizjen Besa.
“Unë sot jam këtu për të inicuar bashkëpunimin tonë si Lëvizja Vetëvendosje, një lloj shtylle e katërt e këtij koalicioni tashmë të etabluar këtu, për të sjellë ndryshimin e munguar tash e 20 vjet që realizohet përmes të këtij regjimi që është në RMV. Vetëvendosja natyrisht që nuk mund të rrijë duarkryq”, theksoi Qoku.