Lëndime në kokë, gjakderdhje në tru: Uka tregon gjendjen e vajzës që u lëndua nga rënia e çatisë së Komunës së Prishtinës - NACIONALE

Lëndime në kokë, gjakderdhje në tru: Uka tregon gjendjen e vajzës që u lëndua nga rënia e çatisë së Komunës së Prishtinës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Dje një qytetare u lëndua si pasojë e shembjes së kulmit të objektit të Komunës së Prishtinës. Ajo po vazhdon të trajtohet në QKUK.

Për gjendjen e saj ka folur Shaqir Uka, shef i Mjekimit Intenziv Qendror në QKUK. Në një prononcim për Ekonomia Online, ai ka treguar se qytetarja, që është motra e deputetes së VV-së, Fjolla Ujkani, i është nënshtruar një intervenimi kirurgjik.

“Pacientja për të cilën ju referoheni është një paciente 23 vjeçare, e cila ka marrë lëndime dje në orët e pasdites në afërsi të ndërtesës së Komunës së re. Është sjellë në Qendrën Emergjente fillimisht për shkak të lëndimeve që ka pësuar në regjionin e kokës dhe lëndimeve të tjera. Pas ekzaminimeve laboratorike dhe rëntgenologjike, pacientja është rivlerësua pas disa ore dhe për shkak të lëndimeve që ka pësuar është dashur që t’i nënshtrohet një intervenimi kirurgjik nga ana e ekipes së neurokirurgëve. Pas intervenimit kirurgjik, pacientja është sjellë për trajtim të mëtutjeshëm në Njësinë e Mjekimit Intenziv Qendror (MIQ), është sjellë pak minuta pas orës 23:00 dhe vazhdon të qëndrojë edhe më tutje e fjetur me barna e varur nga aparatura e frymëmarrjes dhe e mbuluar me terapinë standarde që bëhet për lëndimet e tilla”, ka deklaruar Uka.

Sipas Ukës, pacientja ka pësuar lëndime kryesisht në regjionin e kokës.

“Pacientja i ka lëndimet kryesisht në regjionin e kokës, gjakderdhje në regjionin e indidit trunor. Kjo ka qenë edhe arsyeja që është dashur me iu nënshtru intervenimit kirurgjik. Ka edhe lëndime të një unazës së pjesës së qafës dhe dy unazave të pjesës torakale, gjegjësisht pjesës së gjoksit. Ka edhe një lëndim të kockës së dorës së djathtë. Janë duke u kryer ekzaminimet shtesë, analizat laboratorike dhe pritet që në orët e ardhshme të bëhet vlerësimi definitiv, eventualisht për intervenime të tjera, nëse ka me pas nevojë”, u shpreh Uka.

Lajme të ngjashme