LDK s'ka votë për Vjosa Osmanin si presidente, thotë Havolli - NACIONALE

LDK s'ka votë për Vjosa Osmanin si presidente, thotë Havolli

8 muaj më parë

nga NACIONALE

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do ta mbështesë rizgjedhjen e Vjosa Osmanit në postin e presidentes, ka deklaruar Sokol Havolli nga kjo parti. Sipas tij, zgjedhja e presidentit kërkon konsensus të gjerë politik, i cili aktualisht mungon.

Havolli në “Interaktiv” të KTV-së ka rikujtuar se Osmani ishte zgjedhur presidente me mbështetjen e LDK-së para pesë vitesh, mbi premtimin se do të përfaqësonte unitetin politik.

Megjithatë, ai tha se gjatë mandatit të saj ajo ka përfaqësuar kryesisht interesat e Lëvizjes Vetëvendosje, duke theksuar se LDK nuk ndjen asnjë detyrim për ta votuar sërish. Sipas tij, çdo vendim i VV-së për ta çuar vendin në zgjedhje për këtë çështje është përgjegjësi e saj.

Duke folur për rezultatin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, Havolli pranoi se LDK nuk e kishte pritur atë rezultat, por theksoi se partia vazhdon të synojë rikthimin si forca e parë politike, përmes një programi serioz.

Sa i përket paralajmërimit për dorëheqje të kryetarit Lumir Abdixhiku, Havolli u shpreh se ai nuk duhet të largohet nga drejtimi i partisë. Ai shtoi se LDK mbetet në rivalitet politik me PDK-në dhe LVV-në dhe nuk bashkëpunon me to.

Lajme të ngjashme