LDK-ja merr pjesë vetëm në seancën e orës 14:00 për mandatarin e dytë
Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si Lëvizja Vetëvendosje po menaxhon proceset e fundit parlamentare, duke e akuzuar këtë të fundit se po tenton të shfrytëzojë institucionet shtetërore për “lojëra politike”.
Në një komunikatë për media, LDK ka deklaruar se vendi prej tetë muajsh po mbahet në pasiguri politike nga “të njëjtët që sot paraqesin si urgjencë atë që vetë e kanë zvarritur”.
Sipas LDK-së, i njëjti model i zvarritjes u pa edhe në rastin e mandatarit. “Zvarritja 15-ditore e mandatarit pa numra ishte një proces i humbur që nga fillimi dhe i përdorur vetëm për propagandë,” thuhet në komunikatë.
LDK ka theksuar se, nëse do të kishte pasur vullnet për krijimin e një shumice parlamentare, konsultimet do të ishin zhvilluar më herët dhe me të gjitha subjektet politike. “Qëllimi nuk ka qenë shumica, por materiali elektoral, mbajtja peng e vendit dhe prodhimi i skenave të radhës,” ka deklaruar LDK.
LDK ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në seancën e orës 11:00, e cila përfshin marrëveshje ndërkombëtare, kredi, borxhe dhe projektligje buxhetore. Sipas partisë, këto tema kërkojnë “proces serioz dhe konsultim”, ndërsa ajo nuk pranon të bëhet pjesë e “improvizimeve që shpërfillin rregulloren dhe e reduktojnë agjendën shtetërore në dekor fushate”.
Megjithatë, LDK ka konfirmuar se do të marrë pjesë në seancën e orës 14:00, sapo të pranojë ftesën zyrtare dhe rendin e ditës që lidhet me mandatarin. “Veprojmë në përputhje me bindjet, vlerat dhe besimin e votuesve tanë,” thekson komunikata.
Në fund, LDK ka përsëritur përkushtimin e saj ndaj “rendi, ligjshmëria dhe stabiliteti i Republikës”, duke theksuar se nuk do të bëhet pjesë e “skenarëve populistë dhe krizave të fabrikuara për interesa zgjedhore”.