LDK mban akademi përkujtimore në Gjermani për heroin Sali Çekaj, Abdixhiku: Do të mbetet gjithmonë hero - NACIONALE

LDK mban akademi përkujtimore në Gjermani për heroin Sali Çekaj, Abdixhiku: Do të mbetet gjithmonë hero

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se kanë mbajtur Akademi Përkujtimore për nder të heroit të Kosovës Sali Çekaj.

Në këtë akademi, Abdixhiku gjatë fjalimit të tij Çekajn e kujtoi me fjalët si figurë e madhe e historisë së Kosovës, luftës dhe rezistencës së armatosur.

Shkrimi i plotë i tij:

Sot, në Hamburg , nën organizimin e Nëndegës 2 në këtë qytet, mbajtëm Akademinë Përkujtimore për nder të Heroit të Kosovës Sali Çekaj.

Mes bashkëatdhetarëve e bashkëpunëtorëve të orëve të rënda, rikujtuam në 25 vjetorin e rënies heroike, gjithë kontributin jetësor të një njeriu që la gjurmë në kohë.

Në këtë akademi, ndava dhe dekoratën ‘Dr. Ibrahim Rugova’ për Heroin Sali Çekaj:

“Zonja e zotërinj,

Ju lus që për një moment të ngriheni të gjithë në këmbë, për kumtimin që kam për të bërë.

Duke vazhduar traditën e nisur nga Presidenti Dr. Ibrahim Rugova, në cilësinë e kryetarit të katërt të Lidhjes Demokratike të Kosovës, pasardhës i funksionit politik të kryetarit Rugova, kam vendosur që për kontributin e tij në luftën për çlirim, liri e pavarësi të ndajë Dekoratën më të lartë që e jep Lidhja Demokratike e Kosovës, Dekoratën “Dr. Ibrahim Rugova”, për Heroin e Kosovës, Sali Çekaj.

Kjo dekoratë, le të shërbejë jo vetëm si mirënjohje për gjithë kontributin e tij për çlirim, por të shërbejë si rikujtim për gjithë brezat e ardhshëm se liria e vendit tonë është arritur me shumë mund e sakrificë nga burrat dhe gratë më të devotshme të kombit.

Ftoj familjarët, të pranojnë këtë Dekoratë.”

Lajme të ngjashme