LDK-ja sot mban Kuvendin Zgjedhor të Forumit të Gruas
Lidhja Demokratike e Kosovës sot mban Kuvendin e VIII-të zgjedhor të Forumit të Gruas së LDK-së.
Kjo partia ka njoftuar se kuvendi do të mbahet në qendrën e Klan Arena.
Ish-kryeministri i Kosovës nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti, ka uruar të gjithë delegatet e këtij kuvendi.
“Me këtë rast dëshiroj të shpreh respektin dhe admirimin për strukturat e deritashme të Forumit të Gruas të LDK-së, t’i falënderoj të gjitha strukturat për punën e bërë dhe t’ju uroj suksese më tutje. Dëshiroj të përgëzoj në veçanti zonjën e nderuar Lirije Kajtazi për udhëheqjen e këtij Forumi me shumë dinjitet. Kjo zonjë e nderuar ka një jetë të tërë në shërbim të Kosovës përmes aktivitetit të saj në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Forumi i Gruas mbetet shtyllë e veprimtarisë së LDK-së”, ka shkruar Hoti në profilin e tij në “Facebook”.