Lazio fiton bindshëm ndaj Spezias, qëndron në hap me skuadrat e kreut
S P O R T
Skuadra e Maurizio Sarrit, Lazio, ka arritur të triumfojë në ndeshjen kundër Spezias me rezultat 4:0, kështu duke qëndruar në hap me skuadrat tjera në luftën për katërshen më të mirë.
Me këtë fitore lacianët marrin pozitën e dytë në tabelën e Serie A-së përkohësisht me 17 pikë, sa kanë edhe Atalanta e Milani, ndërsa Udinese që zhvillon nesër ndeshjen e kësaj jave ndaj Hellas Veronës ka 16 pikë, pra me një ndeshje më pak.
Lazio e Sarrit ishte skuadra më e mirë në fushë dhe këtë e konkretizuan edhe me gola.
Fillimisht kishte një penallti për vendasit, por që Ciro Immobile dështoi të qëllojë saktë dhe rezultati mbeti në 0:0.
Epërsinë e parë në ndeshje Lazios ia dha Mattia Zaccagni në minutën e 12-të pas një asistimit të Felipe Anderson.
Dyfishimi i epërsisë erdhi 12 minuta më vonë, saktësisht në minutën e 24-të kur ish-qendërmbrojtësi i Milanit, Alessio Romagnoli shënoi për 2:0.
Për golin e tretë dhe të katërt u kujdes mesfushori serb, Sergej Milinkovic-Savic që shënoi fillimisht për 3:0 në minutën e 61-të pas asistimit të Zaccagnit dhe pastaj në minutat shtesë për 4:0, kësaj radhe pas asistimit të mbrojtësit shqiptar Elseid Hysaj.
Kjo është fitorja e pestë e arritur në këtë sezon në Serie A, krahas edhe dy barazimeve dhe një humbje të pësuar në tetë ndeshjet e para.
