Latifi për fjalët e Kurtit për Ivanoviqin: Kjo ishte një huqje e madhe për dy arsye
Profesori i Filozofisë dhe analisti politik, Blerim Latifi ka thënë fjalët e tij për video-mesazhin e kryeministrit, Albin Kurti me rastin e pesë vjetorit të vrasjes së Oliver Ivanoviqit.
Latifi në Facebook ka shkruar se Kurti ka bërë huqje të madhe me fjalët e tij për Ivanoviqin dhe ka treguar dy arsye për këtë.
“Është budallallëk i llojit të vet që vrasjen e Ivanoviçit nga Beogradi ta dëshmojmë duke i ngritur elozhe atij. Ai ishte dhe do të mbetet një kriminel që u hoq qafesh nga të vetët në një moment kur menduan se po u prishte punë. Çdo histori tjetër është gënjeshtër.” – ka shkruar ai ndër të tjera.
Shkrimi i plotë i tij:
Kurti i ka hyrë një pune që me gjasat më të mëdha do t'i dalë huq: nxjerrjen e serbëve të Kosovës nga kontrolli i Beogradit.
Në funksion të këtij qëllimi ai ditë më parë futi në qeveri dy serbë të pabindur të Beogradit: Nenad Rashiqin dhe Rada Trajkoviçin.
Dje bëri një hap tjetër simbolik: doli dhe e vlerësoi figurën e Oliver Ivanoviçit, i cili vite më parë u vra, sipas të gjitha gjasave me urdhër të vetë qeverisë në Beograd.
Përmes këtij vlerësimi Kurti deshti që serbëve të Kosovës t'u japë mesazhin se e keqja dhe rreziku u vjen nga Beogradi.
Kurti nuk u ndal me kaq. Ai e quajti Ivanoviçin, në njëfarë mënyre, pishtar të shoqërisë multietnike në Kosovë, për të mos thënë edhe dëshmor të saj.
Kjo ishte një huqje e madhe e Kurtit.
Për dy arsye.
E para: Ivanoviçi nuk u vra pse donte një shoqëri multietnike në Kosovë, por thjesht dhe vetëm për arsye të luftës së egër për pushtet brenda organizimit politik të serbëve të Kosovës.
E dyta: Ivanoviçi, sipas dhjetëra dëshmive, del të ketë qenë pjesë e strukturave që kanë kryer krime mbi shqiptarët e Mitrovicës, gjatë dhe pasluftës.
Ai mund të konsiderohet shumëçka, veç si hero i shoqërisë multietnike në asnjë mënyrë.
Është budallallëk i llojit të vet që vrasjen e Ivanoviçit nga Beogradi ta dëshmojmë duke i ngritur elozhe atij. Ai ishte dhe do të mbetet një kriminel që u hoq qafesh nga të vetët në një moment kur menduan se po u prishte punë. Çdo histori tjetër është gënjeshtër.
