Lajçi: Në shumicën e rasteve, Qeveria Kurti 2 nuk i ka ndërruar qëndrimet
Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ali Lajçi, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje ka ardhur në pushtet për shkak të programit të saj, i cili sipas tij i ka prekur segmentet kryesore të shoqërisë.
Sipas tij, Qeveria Kurti 2, në shumicën e rasteve nuk i ka ndërruar qëndrimet
“Lëvizja Vetëvendosje, e ka gjetur Kosovën në gjendje jo të mirë në të gjitha segmentet, ishte synim i qytetarëve që ta ndryshojnë këtë gjendje”, tha ai në Debat Plus.
Sipas Lajçit, programi i LVV-së, i ka prekur “pikat kruciale”, dhe kjo është edhe arsyeja pse sipas tij ajo parti i ka fituar zgjedhjet.
“Edhe LVV-ja në disa segmente nuk ka luajtur dhe është në kuadër të programit, metodologjia është e lëvizshme… LVV e ka marrë vendin një gjendje jo të mirë, ka qenë një synim i qytetarëve ta ndryshojnë gjendjen. Populli ka thënë se duhet ndryshim, ajo është parë e mundur vetëm përmes LVV-së. LVV ka pasur një program të tillë që ka joshur, sepse i ka prekur pikat kruciale”, ka deklaruar ai.
Ish-kryetari i Pejës, i ka renditur dy vendimet e Qeverisë Kurti 2, që sipas tij kanë qenë të domosdoshme dhe të dobishme për Kosovën.
“Ka dy prej vendimeve që s’kanë ndodhë përpara, siç është moslejimi i referendumit serb në Kosovë dhe mosljeimi i zgjedhjeve në Kosovë. Për mua janë shtylla shtetërore”, ka thënë Lajçi.
Tutje ai, e ka komentuar edhe situatën politike në veri të Kosovës, për të cilën tha se është “produkt i keqmenaxhimit” dhe se qeveritë e kaluara “e kanë lënë në gjendje avariste”.