Lajçak e Escobar në Prishtinë - raportohet se do t'i shtrojnë drekë/darkë opozitës
I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak, po raportohet se do të vijnë të martën në Kosovë, e më pas do të shkojnë edhe në Beograd.
Gazeta Nacionale nga burimet e veta, mëson se Lajçak e Escobar do të takohen me kryeministrin Kurti e pastaj do të zhvillojnë një drekë/darkë me opozitën.
Nuk dihet ende nëse opozita e kanë marrë ftesën për drekë/darkë nga dy të dërguarit, pasi që nuk kanë deklaruar asgjë të tillë. Por Nacionale është në pritje të përgjigjeve nga ta për të konfirmuar ose jo një gjë të tillë.
Kjo vizitë e të dërguarit amerikan Escobar dhe emisarit të BE-së Lajçak, vjen pas takimit të kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, në Bruksel.
Escobar e Lajçak, raportohet se do të bëjnë përpjekje për të bindur palët që të arrijnë marrëveshje për tejkalimin e tensioneve në veri të Kosovës. Më saktësisht për çështjen e targave të veturave dhe dokumentet serbe.
Kurti e Vuçiq u takuan më 18 gusht në Bruksel, por nga ky takim nuk u arrit asnjë marrëveshje.
Sqarime rreth takimit 5-orësh në Bruksel, nuk dha kryeministri Kurti, por qe presidenti i Serbisë, ai i cili të dielën doli në një konferencë për media dhe tregoi se çka u diskutua.
Ai ka folur gjerë e gjatë për shumë tema, në fjalimin të cilin vartësit e tij e quajtën më të rëndin për “popullin serb”. Si zakonisht, fjalimi u theksua me tone viktimizuese e dramaticitet të shtuar... dhe, natyrisht, ishte e mbushur me shumë propagandë.
Vuçiq foli për dialogun Kosovë-Serbi, e posaçërisht për takimin e 18 gushtit, për të cilin tha se kishte disa detyra kryesore.
Duke folur për tensionet e fundit në veri të shtetit të Kosovës, Vuçiq tha se në Kosovë po persekutohen populli serb, duke shtuar se do të shpëtojë serbët në Kosovë.