- NACIONALE

Von der Leyen: BE-ja do t’i japë Ukrainës 3,3 miliardë euro për të blerë raketa e dronë

NACIONALE

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha të enjten se Bashkimi Evropian do t’ia transferojë Ukrainës 3,3 miliardë euro të premten për të blerë raketa dhe dronë.

“Unë sapo zhvillova një telefonatë me presidentin Zelensky. Nesër [të premten], ne do të transferojmë 3,3 miliardë euro për raketa dhe dronë në Ukrainë” – shkroi zyrtarja e lartë evropiane në rrjetin X, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Në anën tjetër, Zelensky, duke shkruar në rrjetin “Telegram”, nuk e përmendi transferin e ri të mjeteve. Ai e përshkroi bisedën me zonjën Von der Leyen si “shumë produktive” dhe tha se diskutimi u fokusua te “hapat jetikë për qëndrueshmërinë e mbrojtjes sonë”, përfshirë çështjet e financimit.

Vuçiqi thotë se Serbia e ka hapur fabrikën për montimin e dronëve të avancuar izraelitë

NACIONALE

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të enjten se vendi i tij ka hapur një fabrikë për montimin e dronëve të avancuar të prodhimit izraelit, e cila do ta furnizojë ushtrinë serbe dhe forcat e armatosura të vendeve të tjera.

Në këtë fabrikë pritet të punësohen rreth 100 punëtorë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Qeveria serbe dhe partnerët e saj izraelitë presin që të hapin të paktën tri fabrika të tjera në pjesë të ndryshme të Serbisë, shtoi Vuçiqi.

Gazetarët nuk u ftuan që ta vizitonin fabrikën për shkak të konfidencialitetit të procesit prodhues.

Vuçiqi publikoi vetëm pamje të kufizuara të objektit, duke thënë se publiku do të jetë i ngazëllyer nga ajo që është duke u prodhuar aty.

Djali i Kadri Veselit: Drejtoni mikrofonat kah populli, dëgjojeni çka po thotë

NACIONALE

Klestor Veseli, i biri i ish-kryekuvendarit dhe ish-udhëheqësit të UÇK-së, Kadri Veseli, po merr pjesë në protestën që po mbahet në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë kundër dënimit të babait të tij dhe tre ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Nuk kam asgjë me shty prej asaj që e tha Endriti [djali i Hashim Thaçit]. Ju ftoj t’i drejtoni mikrofonat, dëgjojeni popullin çka thotë” – tha ai para gazetarëve.

Në protestë po merr pjesë edhe djali tjetër më i ri i Kadri Veselit, i cili u pa pranë vëllait.

Kadri Veseli u dënua të mërkurën me 18 vite burgim nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

ShBA-ja ia jep dritën e gjelbër shitjes së aeroplanëve F-35 Lightning II Arabisë Saudite

NACIONALE

Departamenti i Shtetit i ShBA-së e ka miratuar shitjen e mundshme të aeroplanëve luftarakë “F-35 Lightning II Joint Strike Fighter” në Arabinë Saudite, njoftoi ky dikaster të enjten.

Shitja me vlerë të 24,3 miliardë dollarëve do të përfshinte 48 aeroplanë ushtarakë dhe 49 motorë “Pratt & Whitney” bashkë me pajisjet e komunikimit, pjesët rezervë dhe produkte të tjera, tha Departamenti i Shtetit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Shitja e propozuar e këtyre pajisjeve dhe mbështetja nuk do ta ndërrojnë baraspeshën ushtarake në rajon” – thuhet në njoftimin e publikuar në internet.

Tragjedia nuk është dënimi i katër burrave, por vetmia diplomatike e Kosovës

Col Mehmeti

Vendimi i 16 shtatorit ka qenë kollaj i parashikueshëm meqë shenjat për të ishin kudo. Hidhërimi ynë është i madh, aq i madh sa na duket sikur Perëndimi e kreu një pabesi të madhe. Por nuk duhet të harrohet se garancat e dhëna që më 2015 nga ambasadat e Quint-it jetojnë në aktgjykim tekqë Paneli e tha shkoqur që nuk preket legjitimiteti i UÇK-së dhe qëllimi i saj për pavarësi. Faji është gjetkë. Politika populiste, tash e gjashtë vjet, e shndërroi Kosovën në një ishull vetmitar ku nuk ekziston asnjë aleat perëndimor. Duhet të shohim më mirë plagët që kullojnë gjak e të kuptojmë se ka edhe një fat në fatkeqësi. Është në interesin tonë që kur të publikohet i plotë aktgjykimi, teksti i tij të jetë plot e përplot me shkelje, paradoksalitete e anomali. Kur të ekspozohen ato para një komuniteti akademikësh e ekspertësh ndërkombëtarë, atëherë do të kemi mundësinë për një strategji të re e efikase të Mbrojtjes në Apel.

Col Mehmeti

Kur Tribunali u bë në verën e 2015-s, pas një trysnije të gjithanshme nga jashtë, garancitë e dhëna nga Perëndimi ishin fare gjenuine dhe të vërteta.

Në këto momente secili jemi sedërlënduar, por tronditja e madhe nuk duhet të na errësojë gjykimin sa të hipim në rimorkion e atyre që janë antiperëndimorë në shpirt.

Kur ambasadat e Quint-it në Prishtinë dilnin me deklarime të njëzëshme se lufta e UÇK-së ishte e drejtë e ky fakt nuk tjetërsohej nga çfarëdo gjykimi, këtu nuk kishte kurrfarë shtirje.

Në atë copë aktgjykimi, që u lexua paraditën e djeshme nga gjyqtari amerikan Charles L. Smith, gjenden të fiksuara mu këto garanca kur u tha shkoqur se “ky rast nuk ka të bëjë me legjitimitetin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe qëllimin e saj për një Kosovë të mosvarur”.

Kaq mjafton që të refuzohet hipja në rimorkion me vende të lira të atyre që na tërheqin në moçalin e urrejtjes antiperëndimore.

Le ta ngulisim një gjë si gozhdë në krye.

Teprimet e shkeljet që ecën dorë-për-dore në procesin e Hagës nuk e kanë adresën te Perëndimi.

Më tepër, ato duhen parë brenda përçarjeve të brendshme dhe, mbi të gjitha, fobisë patologjike ndaj Trumpit.

Në mungesë të guximit për t’u ballafaquar me të, qarqe të caktuara donin të hakmirreshin në njerëz që ndjesoheshin si të lidhur me MAGA-istët, d.m.th me Trumpistët më burimorë.

Ideja e një ‘tribunali special’ ishte një imperativ ndërkombëtar, madje edhe baballarët themelues të këtij shteti e dinin që, fill pas shpalljes së pavarësisë, do të përballeshin me procese gjyqësore.

Duhet të shohim pak përtej plagëve.

Ka edhe njëfarë fati në secilën fatkeqësi.

Ndonëse nuk është publikuar ende aktgjykimi i plotë, do të ishte në interesin tonë që totali i tij të jetë sa më paradoksal, me sa më shumë shkelje e sa më shumë kundërthënie.

Kjo do ta ekspozonte vendimin e 16 shtatorit para një komuniteti ekspertësh e profesionisësh të huaj, e rrjedhimisht do të përgatitej një strategji e re dhe efikase në Apel.

Zemërata e vërtetë që duhet të na përshkojë është vetëm kur bëjmë dallimin mes 2015-s dhe 2026-s.

Në këtë dekadë çmendurie, i pabesë nuk ishte Perëndimi, por të pabesët ishim ne, ne ishim bukëshkalët e mosmirënjohësit përballë tij.

Më 2015, dera diplomatike për Kosovën ishte e hapur në Washington, Paris, Londër, Berlin e Romë.

Sot, të gjitha këto dyer janë të mbyllura me shula refuzimi dhe askush nuk e bën hesap një shtetëruc që sillet me arrogancë sikur të ishte Rusi, Iran apo ndonjë tjetër nga klubi i batakçinjve.

Kryeministrin e Kosovës sot e pret vetëm Hristijan Mickoski në Shkup.

Nëse dikur një burrështas nga Kosova mund të shtrëngonte duart me Obaman, Macronin e Merkelin, sot nuk është e mundur as të kapet për mëngësh një diplomat i rangut të tretë teksa endet shkallëve.

Aq e thellë është shpërfillja ndërkombëtare sa edhe kur dy mashtrues rusë e telefonuan Kurtin, ky foli me ta për 10 minuta resht duke menduar naivisht se në anën tjetër të telefonit po kuvendonte me presidentin e Letonisë, Edgars Rinkēvičs.

Më 2015, Kosova ndjesohej si një faktor lokal tek i cili Perëndimi llogariste në qetësinë e tij strategjike, por edhe në aftësinë e tij për të bërë probleme nëse ato ishin të ekspendientizueshme për një qëllim të caktuar të Perëndimit.

Sot, Kosova e vetëshkërdhyer nga populizmi e provincializmi nuk ka kurrfarë aftësie a takati për destabilitet.

Qetësia e saj as nuk i shënohet në defter sepse është shtet që gradualisht e ka zgjedhur një jetë ishullore, një izolim të plotë, një jetë nga zeroja si e Robinson Kruzosë.

Qysh në fund të 2024-s, për këdo që e përcillte procesin më me vëmendje, kuptohej qartë se Gjykata Speciale do ta dënonte ekzemplarisht krejt udhëheqjen e UÇK-së.

Gjatë kësaj kohe po kryheshin testime inxhinierike se cili do të ishte impakti social, sa do të ishte ndjeshmëria e njerëzve kur do të prekej identiteti i tyre.

Megjithëse institucionet ndërkombëtare të sigurisë para disa ditësh paralajmëronin skenarë potencialë dhune, peizazhet urbane në Kosovë, dje dhe sot, ishin të qeta, të vdekura e indiferente.

Ndjeshmëria kolektive praktikisht është e hiçtë dhe ka plot gjëra të tjera që mbiprodhojnë emocione, ndjeshmëri e elektrizim.

Filozofia antike greke nuk është ajo e thellësive dhe koncepteve të mëdha siç mendojmë. Jo!

Filozofia greke ishte veçse përpjekja për të thënë se si shkatërrohet bota kur turmat e bëjnë ligjin, kur sundon kallaballëku.

Dhe kishin të drejtë sepse populizmi ia përlau kryet këtij vendi.

Raportohet rasti i parë i vdekjes nga Virusi i Nilit Perëndimor në QKUK

NACIONALE

Klinika Infektive e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka njoftuar për rastin e parë të vdekjes së një pacienti të diagnostikuar me Virusin e Nilit Perëndimor.

Sipas njoftimit të QKUK-së, pacienti Rr. I., i lindur më 2 maj 1960, ishte hospitalizuar më 10 shtator në Klinikën Infektive, me diagnozën meningoencefalit akut dhe në gjendje të rëndë shëndetësore.

Para shtrimit në spital, pacienti ishte trajtuar për pesë ditë në mënyrë ambulatore. Në ditën e pranimit në Klinikën Infektive, atij iu kryen ekzaminimet e nevojshme diagnostikuese dhe menjëherë u nis trajtimi, ndërsa u realizuan edhe konsultat përkatëse mjekësore.

Në kuadër të analizave laboratorike u krye edhe testi RT-PCR për Virusin e Nilit Perëndimor, i cili rezultoi pozitiv.

Gjatë hospitalizimit, gjendja e pacientit vazhdoi të ishte tejet e rëndë dhe kërkoi trajtim intensiv. QKUK ka bërë të ditur se gjatë gjithë periudhës së qëndrimit në spital u ndërmorën masat dhe procedurat e nevojshme mjekësore, ndërsa terapia medikamentoze u përshtat në përputhje me gjendjen klinike.

Pavarësisht trajtimit dhe përpjekjeve të stafit mjekësor, pacienti ndërroi jetë më 15 shtator, në orën 08:40.

Ky, sipas QKUK-së, është rasti i parë i vdekjes i raportuar në Kosovë te një pacient i diagnostikuar me Virusin e Nilit Perëndimor.

Pas humbjes në zgjedhje, kryeministri suedez jep dorëheqje

NACIONALE

Kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson, ka dhënë dorëheqje, pasi blloku i tij djathtist u mposht me rezultat të ngushtë nga opozita e qendrës së majtë në zgjedhjet e përgjithshme.

Ai e dha njoftimin në një shkrim të publikuar në rrjetin X të enjten pasdite, pasi numërimi preliminar i votave nga zgjedhjet e së dielës tregoi rreth 5 mijë vota dallim mes dy blloqeve në shtetin me rreth 10 milionë njerëz, raporton televizioni BBC.

Partitë opozitare, të udhëhequra nga Magdalena Andersson e socialdemokratëve pritet të fitojë 176 ulëse në kuvendin me 349 anëtarë.

Kirstersson, i cili ka qëndrime konservatore, ishte mbështetur nga qeveri nga Demokratët e Suedisë dhe u kishte premtuar atyre pozita në kabinetin qeveritar, nëse do t’i fitonte zgjedhjet.

Blloku i tij djathtist pritet të fitojë 173 ulëse, sipas të dhënave nga Autoriteti Zgjedhor i Suedisë.

Rezultatet duhet të certifikohen formalisht ditëve në vijim dhe pritet të finalizohen këtë fundjavë.

Në Suedi ekzistojnë dy blloqe politike kryesore – katër parti në krahun e djathtë dhe katër të tjera në të majtin – prandaj suedezët janë të mësuar me koalicione dhe me qeveri të pakicës.

Xhaka në mbështetje të çlirimtarëve: Luftuan në tokën e tyre për lirinë e atdheut

NACIONALE

Futbollisti i njohur me origjinë shqiptare, Granit Xhaka, ka reaguar pas verditk dënuar për Gjykatën Speciale për ish-krerët e UÇK-së.

Ai ka ndarë një mesazh mbështetje për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin.

Përmes rrjeteve sociale, ai ka publikuar një fotografi të ish-krerëve ndërsa në të shkruhet: “Luftuan në tokën e tyre, për lirinë e atdheut. Liria ka emër”.

Shpërndahen protestuesit në shesh, përfundon protesta

NACIONALE

Protestuesit që ndodheshin në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë janë shpërndarë.

Protesta nisi rreth orës 21:00 me moton “Jo në emrin tim”, për ta kundërshtuar dënimin e ish-krerëve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Në protestë morën pjesë shumë qytetarë, ndërsa një kordon policor ishte vendosur para ndërtesës së Qeverisë.

Në qendër të Prishtinës, në Bulevardin “Bill Klinton”, ende po vazhdojnë të qëndrojnë disa protestues me vetura.

"Jo në emrin tim": Protesta vazhdon edhe pak para mesnatës

NACIONALE

Protestuesit po vazhdojnë të qëndrojnë edhe më tej para objektit të Qeverisë së Kosovës.

Qindra qytetarë kanë dalë në protestë nga ora 21:00, nën moton “Jo në emrin tim”.

Më herët, atyre iu bashkëngjitën edhe djemtë e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.

Theksojmë se protesta janë paralajmëruar edhe për ditët në vazhdim.