Laburistët shënojnë fitore bindëse në Britani, Starmer kryeministër i ri - NACIONALE

Laburistët shënojnë fitore bindëse në Britani, Starmer kryeministër i ri

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Sir Keir Starmer deklaroi se “ndryshimi fillon tani”, pasi shënoi fitore të thellë në zgjedhjet parlamentare të së enjtes në Britani të Madhe.

Udhëheqësi i Partisë Laburiste tashmë e ka siguruar numrin e deputetëve të nevojshëm për ta formuar shumicën në Dhomën e Ulët – duke u dhënë fund 14 viteve pushtet të Partisë Konservatore, raporton televizioni “Sky News”.

Kryeministri në largim, Rishi Sunak, e kishte pranuar humbjen pak para se shifra të arrihej, duke deklaruar: “Partia Laburiste i ka fituar këto zgjedhje dhe unë e kam telefonuar Sir Keir Starmer-in për ta përgëzuar për fitoren e tij.”

Pak më vonë, Starmeri para një grumbulli të mbështetësve tha: “E bëmë këtë, ju bëtë fushatë për këtë, ju luftuar për këtë, ju votuat për këtë dhe tani ai ka arritur, ndryshimi fillon tani.”

Majtisti shtoi se Britania e Madhe edhe një herë po e përjeton “dritën e shpresës”.

“Drita e shpresës, e zbehtë në fillim, por duke u forcuar gjatë ditës. Duke rrezuar edhe një herë mbi një vend me një mundësi pas 14 vjetëve për ta rikthyer të ardhmen e vet” – tha udhëheqësi i laburistëve.

Lajme të ngjashme