Kuvendi i Libanit e shfuqizon dënimin e vdekje - NACIONALE

Kuvendi i Libanit e shfuqizon dënimin e vdekje

1 orë më parë

nga NACIONALE

Kuvendi i Libanit ka votuar për ta shfuqizuar dënimin me vdekje nga sistemi i drejtësisë, lëvizje që do ta bënte atë shtetin e parë në Lindjen e Mesme që e largon formalisht këtë dënim.

Shumica e deputetëve në Kuvendin me 128 ulëse e mbështetën masën të martën, ndërsa blloku parlamentar i Hezbollahut votoi kundër saj, raporton televizioni BBC.

Legjislacioni tani do t’i dërgohet kabinetit para se të arrijë te presidenti Joseph Aoun për t’u nënshkruar. Qeveria tashmë e ka shprehur mbështetjen e saj për këtë masë.

Libani nuk ka ekzekutuar të dënuar me vdekje që nga janari i vitit 2004, edhe pse gjykatat kanë vazhduar që të shqiptojnë dënime të tilla. Grupet për të drejtat e njeriut vlerësojnë se 78 persona janë në pritje të ekzekutimit.

Sipas legjislacionit të ri, dënimi me vdekje do të zëvendësohet me burgim të përjetshëm me punë të rëndë. Megjithatë, në legjislacion nuk përcaktohen ende hollësi se si do të zbatohet dënimi i ri.

Puna e rëndë tashmë është e shkruar në ligjet libaneze, por rrallë është zbatuar viteve të fundit. Kriza financiare dhe burgjet e mbingarkuara të vendit i kanë kufizuar burimet dhe kapacitetet e autoriteteve.

Legjislacioni i ri vjen pas disa viteve fushatë nga grupet e shoqërisë civile dhe avokatëve për heqjen e dënimit me vdekje nga ligjet e vendit.

“Nuk mund të zgjidhim një krim me një krim ose t’i japim fund dhunës me dhunë” - i tha BBC-së Oragit Younan.

Lajme të ngjashme