Kusari me akuza ndaj partive opozitare: Bashkatdhetarët s’e meritojnë t’i shohin imazhet e sotme të Kuvendit - NACIONALE

Kusari me akuza ndaj partive opozitare: Bashkatdhetarët s’e meritojnë t’i shohin imazhet e sotme të Kuvendit

3 orë më parë

nga NACIONALE

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka akuzuar partitë opozitare se po bëjnë thirrje për ta ftuar seancën përmes sulmeve fizike.

Sipas saj, Kuvendi sot nuk përcolli imazhin që “qytetatarët dhe bashkëatdhetarët meritojnë të shohin”.

“Sot, Kuvendi i Kosovës nuk përcolli imazhin që qytetarët tanë, e aq më pak bashkatdhetarët tanë në diasporë, meritojnë të shohin. Përplasjet, fyerjet dhe çdo formë e sjelljes së dhunshme në sallën e Kuvendit janë të papranueshme dhe të paarsyetueshme, pavarësisht dallimeve politike.

Thirrjet për të ftuar seancën përmes presionit, sulmeve verbale dhe fizike, janë jo vetëm kundërproduktive, por krijojnë skena të shëmtuara dhe krejtësisht të panevojshme në institucionin që duhet të jetë shembull i debatit demokratik.

Prandaj, u bëj thirrje liderëve të partive politike që t’u kërkojnë deputetëve të tyre të përmbahen nga çdo veprim i dhunshëm apo sjellje që cenon dinjitetin e Kuvendit dhe integritetin personal të kolegëve deputetë. Askush nuk duhet të ndihet i autorizuar ta kalojë këtë vijë”, ka shkruar ajo.

Derisa shefi i saj, Albin Kurti, nuk e ka propozuar emrin e kandidatit për kryetar të Kuvendit, Kusari ka thënë se “liderët politikë duhet të ulen në një tryezë të përbashkët”.

“Për ta nxjerrë Kosovën nga ky cikël i pafund i përplasjeve, liderët politikë duhet të ulen në një tryezë të përbashkët dhe të gjejnë rrugën për tejkalimin e ngërçit politik. Kjo kërkon vullnet politik, përgjegjësi dhe gatishmëri për të bërë kompromiset e nevojshme në interes të vendit”, ka shkruar ajo.

Postimi i plotë:

Lajme të ngjashme