Kusari – Lila: Mbetet shqetësues zbatimi i kuotës në Bordet e Sh.A.-ve
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes, Mimoza Kusari – Lila, ka marrë pjesë në Forumin “Gratë, Paqen dhe Sigurinë”, ku ka falënderuar presidenten, Vjosa Osmani për organizimin.
Kusari – Lila ka treguar se në këtë forum është diskutuar për mekanizmat dhe përvojat e përfaqësimit të grave në Parlamentet nacionale dhe nevojën apo jo të kuotës në përfaqësim.
“Në prezantimin tim fola për suksesin e grave në Kuvendin e Kosovës dhe shembujt e unitetit dhe forcës së grave në ndryshimet e arritura në Kuvendin e Kosovës. Kuota e prezantuar në Ligjin për Shoqëritë Tregtare për Bordet e shoqërive aksionare e miratuar në Kosovë me 2018, ditë më parë u miratua në Këshillin e Evropës, katër vite pas Kosovës”, ka shkruar ajo.
Shefja e GP të VV-së ka thënë se në Kosovë zbatimin e kësaj norme ligjore duhet t’a avancojmë dhe promovojmë më shumë, pasi ende mbetet shqetësues zbatimi i kuotës në Bordet e Shoqërive aksionare (Sh.a.-ve).
“Parlamentet kanë mekanizmin tepër të rëndësishëm, atë të miratimit të buxhetit të përgjegjshëm gjinor. Buxhetimi i përgjegjshëm gjinor, nuk ndihmon vetëm në zvogëlimin e diferencës midis grave dhe burrave, vajzave dhe djemve, por edhe në ngritjen e përfaqësimit të komuniteteve të ndërpërfaqësuara”, ka shkruar ajo.