Kusari: Do të rezistojmë kundër asociacionit
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka mbajtur një konferencë për media, nga ku ka paralajmëruar se grupi parlamentar të cilin e përfaqëson, pra LVV, do të rezistoj ndaj një asociacioni i cili ka për qëllim forcimin e një mekanizmi të Serbisë kundër funksionimit të Kosovës.
“Nëse ideja për themelimin e asociacionit dhe insistimi për themelimin e asociacionit është për të krijuar dhe forcuar një mekanizëm të Serbisë për funksionim në Kosovë, atëherë natyrisht që do të rezistojmë ashtu siç është rezistuar deri më tani, për arsye se nuk po krijohen argumentet kredibile për përmirësimin e jetës së qytetarëve pra komuniteti serb në Kosovë, por për krijimin e mekanizmave të ndikimit të Serbisë në Kosovë, i cili deri më tani është negativ skajshmërish, nga nismat rajonale ,nga problemet në veri të vendit dhe situatat e vazhdueshme problematike që qojnë deri të ajo çfarë po shihet tashmë edhe nga vendet tjera fatmirësisht edhe të BE-së, SHBA-së për qasjen destruktive dhe problematike në Serbisë në vend”, ka thënë ajo.
Kusari-Lila gjithashtu është shprehur se duhet të ketë dialog të brendshëm me komunitetin serb për çështje që u përkasin atyre brenda Kosovës.
“Pa e pasur një diskutim mirëfilli të brendshëm, ashtu siç e ka deklaruar edhe kryeministri i vendit, një dialog të brendshëm me komunitetin serb, me çështje të cilat i përkasin atyre në Kosovë si republikë e pavarur për të gjithë qytetarët njëjtë e pa dallim, nuk mund të flasim për çështje të cilat kanë synim obstruksionin e shtetit të Kosovës dhe funksionimin e mirëfilltë të vendit”, është shprehur Kusari-Lila.