Kurti: Ushtria është detyra dhe projekti ynë madhor
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shkruar se ushtria jonë po forcohet e zhvillohet për të siguruar e ruajtur paqen, demokracinë dhe progresin.
Këtë deklaratë Kurti e ka bërë pas betimit të 311 rekrutëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Kurti ka përmendur edhe tri projektligjet e votuara gjatë ditës së enjte në Kuvendin e Kosovës.
“Në kazermën “Adem Jashari” sot u betuan 311 rekrutë të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe morën statusin Ushtar i Kosovës. Ndërsa dje, me shumicë votash Kuvendi miratoi tri projektligje që fuqizojnë bazën ligjore për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Mbrojtjes, FSK-së dhe të drejtat e obligimet për pjesëtarët e FSK-së: plotësim-ndryshimin e Ligjit për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës, për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe për Ministrinë e Mbrojtjes”, ka shkruar ai.
Kryeministri Kurti tutje ka thënë se i është mirënjohës partnerëve, vendeve mike e aleate për gjithë përkrahjen në modernizimin dhe trajnimin e FSK-së.
