Kurti uron Bosnjën, Robelli: Boshnjakët muslimanë nuk e urojnë kurrë Kosovën
GazetarI Enver Robelli, ka kritikuar udhëheqësit e Bosnjë-Hercegovinës
Shkas për ta kritikuar liderët boshnjakë u bë urimi i kryeministrit Kurti me rastin e pavarësisë së shtetit fqinj.
Me anë të një postimi në Facebook, Robelli ka thënë shumica e politikanëve boshnjakë Kosovën nuk e urojnë asnjëherë.
“Kryeministri i Kosovës ia paska uruar Ditën e Pavarësisë Bosnjë-Hercegovinës. Veprim normal. Por, çuditërisht shumica e politikanëve boshnjakë (pra, ata që i përkasin shumicës myslimane) Kosovën nuk e përmendin kurrë. Pavarësinë nuk ia urojnë kurrë. Nuk e kanë vizituar Kosovën kurrë. Për shkak të bllokadës nga ana e politikanëve serbë, Bosnja nuk mund ta pranojë Kosovën, por kush i pengon liderët e partive boshnjake të urojnë pavarësinë e Kosovës më 17 shkurt? Askush”, ka shkruar Robelli.
Tutje, ai ka treguar verzionin e tij se pse po ndodhë ky hezitim i boshnjakëve.
“Ngurrimi i tyre është i pakuptimtë. Qyteti i Sarajevës do të mund të krijonte partneritet me Prishtinën apo Prizrenin. Kryetarja e qytetit të Sarajevës është socialdemokrate. Por edhe ajo preferon të heshtë. Dhe heshtja flet shumë. Gati 200 shqiptarë janë vrarë në mbrojtje të Bosnjës. Mes tyre edhe oficerë në pozita të rëndësishme komanduese. Ndër civilët e parë që janë vrarë në luftën e Bosnjës kanë qenë shqiptarët. Heshtja e Sarajevës ndaj pavarësisë së Kosovës nga frika se do zemërohen disa çetnikë në Banjallukë është pafundësisht e pakuptueshme”, ka shkruar ai.
