Kurti u flet nxënësve për Platonin e Aristotelin: Matematika është gjuha e universit
Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, ka mbajtur një fjalim të gjatë para nxënësve, të cilët po shpërbleshin për punën e tyre në matematikë e fizikë.
Në fjalimin e tij, Kurti ka folur për matematikën, ekuacionet e ligjet e shkakësisë, duke përmendur disa autorë të mëdhenj të historisë së shkencës, përfshirë Platonin, Aristotelin, Galileun, e Ajnshtajnin.
Shefi i ekzekutivit përkujtoi atë çfarë shkroi filozofi i Greqisë antike, Platoni mbi hyrjen e Akademisë së tij në Athinë.
“Edhe në Greqinë antike, pra kur Platoni e ka themeluar Akademinë në Athinë, mbi hyrjen e ndërtesës ka shkruar: “Le të mos hyjë këtu ai që nuk e di gjeometrinë”. Kjo akademi pastaj i dha botës atë që njihet si Babai i Logjikës, Aristotelin, i cili me kategoritë e tij filozofike, e sidomos me kauzalitetin, Ligjin e Shkakësisë, ndikoi aq shumë në këdo që erdhi pas tij në fushën e filozofisë apo të shkencave.”, tha fillimisht Kurti.
E pasi përmendi Greqinë antike, Kurti nuk harroi të përmendte edhe Ajnshtajnin, teksa tha se nuk e respektoi plotësisht një parim të tij.
“Pra, matematika si vetë gjuha e universit, ashtu qysh e besonte edhe Ajnshtajni kur tha që “Ekuacionet janë më të rëndësishme për mua, sepse politika është për të tashmen, por një ekuacion është diçka për përjetësinë”. Unë siç e dini nuk e kam respektuar plotësisht këtë parim të Ajnshtajnit, meqë kam zgjedhur politikën, ndoshta jo edhe plotësisht vetë, kjo zgjedhje është tërësisht e imja.”, tha Kurti.