Kurti tenton t’i ikë pyetjes për ngritjen e çmimeve, flet për 300 eurot dhe 25 mijë vendet e punës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk ka treguar se cilat do të jenë masat konkrete që do të merren pas ngritjes së çmimeve për produktet bazike.
Kurti në një konferencë për media që e mbajti sot në selinë e Lëvizjes Vetëvendosje, është pyetur lidhur me paralajmërimin e ministres Rozeta Hajdari, për përcaktimin e çmimeve për produkte, shkruan gazeta Nacionale.
Megjithatë, ai i ka ikur kësaj pyetje, duke mos lënë pa përmendur skemën që e prezantoi dje për punësimin e personave që nuk e kanë asnjë familjarë të punësuar.
Kurti veç kësaj, sërish ka folur edhe për 25 mijë vendet e punës, për të cilat pretendon se janë hapur gjatë qeverisjes së tij.
“Së pari ne e respektojmë edhe kushtetueshmërinë edhe ligjin, por në të njëjtën kohë na duhet që t’u ndalim në ndihmë qytetarëve. Nesër ministri Murati do të dalë dhe t’u shpjegojë hollësisht skemën e punësimit e cila po konkretizohet me masën tonë më të re, ndihma prej 70 për qind e pagës bruto, maksimum deri në 300 euro, për gjashtë muaj rresht, për këdo që është i papunë dhe punësohet dhe nuk e ka asnjë të punësuar në familjen e tij. Ju e dini shumë mirë që ne jemi zotuar, që çdo familje të ketë së paku një të punësuar. Fitorja e madhe e shkurtit të vitit të kaluar, ka pasë dy fjalë kryesore, drejtësi dhe punësim, apo punësim dhe drejtësi. Pandemia që nuk ka shkuar, lufta e cila po zhvillohet në Ukrainë nuk ka përfunduar, ka shkaktuar përçarje të mëdha në të gjithë Evropën. Unë dhe ministrat jemi në komunikim të vazhdueshëm masa që ndihmojnë më shumë qytetarin, por pa e shkelur Kushtetuetshmërinë. Për shkak se kemi deficit tregtar si shtet, ne importojmë jo vetëm mallra, ndërkaq në anën tjetër duhet të bëjmë çmos që popullsia jonë të jetë sa më aktive, pikërisht duke punësuar sa më shumë që arrijmë ta bëjmë këtë gjë, ne ia kemi shtuar vendit 25 mijë vende të reja të punës. Por ndiqeni me vemendje, konferencën e nesërme të ministrit Murati”, ka thënë ai./Nacionale.com/