Kurti takon shefin e EULEX-it, flasin për sigurinë dhe sundimin e ligjit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX, Giovanni Pietro Barbano.
ZKM bëri të ditur se gjatë takimit u diskutua për sigurinë, sundimin e ligjit dhe drejtësisë.
Tutje, Kurti ka njoftuar shefin e EULEX-it për "procesin pozitiv të regjistrimit të automjeteve me targat legale të Kosovës, RKS".
“Kryeministri Kurti e njoftoi me zhvillimet e fundit në vend dhe reformat e ndërmarra deri më tani. Ai e veçoi procesin pozitiv të regjistrimit të automjeteve me targat legale të Kosovës, RKS, si shembull i respektimit të ligjshmërisë, rezultat i lehtësimit financiar të ofruar nga Qeveria dhe gatishmërisë së qytetarëve për integrim”, thuhet në noftim.
Gjatë bisedës është diskutuar edhe për rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në shërbim të të gjithë qytetarëve e Kosovës.