Kurti takohet me kryeministrin e Kroacisë, flasin për Banjskën dhe dialogun me Serbinë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është takuar me Kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenković.
Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, u bë e ditur se në takim u theksua përkushtimi i përbashkët për fuqizimin e marrëdhënieve dhe zgjerimin e tyre në fusha me interes të përbashkët.
Gjithashtu në takim, mes marrëveshjeve dhe mundësive për thellim të bashkëpunimit, u veçua fusha e sigurisë si dhe ajo e arsimit për më shumë shkëmbime e trajnime të përbashkëta.
“Në këtë takim u bisedua dhe mbi paqen e sigurinë në Ballkan, ku Kryeministri tha se Serbia mbetet faktor destabilizues e kërcënues i rajonit. Ai theksoi sulmin paramilitar të Banjskës nga i cili u shënua dhe një vjetori i këtij akti terrorist tre ditë më parë, si dhe propagandën e vazhdueshme dezinformuese të aparatit shtetëror serb mbi Kosovën e veçanërisht veriun e vendit tonë.”
“Mbi dialogun me Serbinë që zhvillohet në Bruksel, Kryeministri ritheksoi përkushtimin e Kosovës ndaj procesit të normalizimit dhe nevojën për respektimin e pakusht, si dhe zbatimin e plotë e pa vonesa të mëtejme të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues, teksa Serbia ende nuk po e nënshkruan dhe nuk është e gatshme për ecjen tutje drejt normalizimit të marrëdhënieve.” – thuhet në njoftim.