Kurti takohet me komandantin e KFOR-it: Prezenca e shtuar e trupave të koncentrohet në ruajtjen e kufirit me Serbinë
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është takuar të mërkurën me komandantin e KFOR-it, Gjeneral Ozkan Ultutas, me të cilin ka biseduar për situatën e sigurisë në vend.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti ka thënë se është i interesuar për bashkëpunim më të fortë e takime me të shpeshta me komandatin e KFOR-it.
Temë qëndrore e takimit ka qenë situata e sigurisë pa sulmit terrorist të 24 shtatorti në Banjskë të Zveçanit.
“Temë qendrore e takimit ishte situata e sigurisë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Kosovë. Kryeministri theksoi që ky sulm terrorist ka vënë në pah nevojën për rritjen e sigurisë në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. Sasia e madhe e armatimit dhe municionit ushtarak të konfiskuar është prodhuar në Serbi. Edhe ushtrimet luftarake të paramilitarëve që kryen terror e vrasje në Banjskë të Zveçanit janë kryer në Serbi. Atje Kosova nuk ka jurisdiksion prandaj nevojitet edhe një hetim ndërkombëtar në Serbi mbi përgatitjet, furnizimin dhe orkestrimin e këtij sulmi.” – thuhet në njoftimin për medie.
Më tej, Kurti ka mirëpritur shtimin e numrit të trupave të KFOR-it dhe ka kërkuar që të KFOR-i të koncetrohet në ruajtjen e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë.
“Kryeministri e mirëpriti shtimin e numrit të trupave të KFOR-it, në përgjigje të sulmit terrorist nga ana e Serbisë në Kosovë, duke theksuar që kjo prezencë e shtuar duhet të koncentrohet në ruajtjen e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, prej nga edhe ka hyrë armatimi i Serbisë dhe nga vjen kërcënimi për Kosovën.
Ruajtja e kufirit nënkupton po ashtu mbylljen e rrugëve ilegale, prandaj edhe është i domosdoshëm bashkëpunimi më i madh me Policinë e Kosovës.”
“Kryeministri Kurti po ashtu theksoi nevojën që në veri të vendit të ofrohen shërbime të rregullta për qytetarët nga institucionet e Kosovës, prandaj duhet të garantohet liria e lëvizjes.” – thuhet në njoftim.

