Kurti takohet me Kallas, zbatimi i Ligjit për të Huajt dhe dialogu me Serbinë mes temave të diskutuara
Kryeministri në detyrë , Albin Kurti, është takuar me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas, në margjina të Samitit të Komunitetit Politik Evropian.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, në takim u diskutuan situata politike në rajon, çështjet e sigurisë dhe sfidat ndërkombëtare, me theks në rëndësinë e linjëzimit të Kosovës me Bashkimin Evropian.
Kurti citohet të ketë rikonfirmuar përkushtimin e Kosovës ndaj agjendës së reformave dhe përsëriti kërkesën për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE, duke kërkuar trajtim të drejtë.
Në takim, siç njofton ZKM, u diskutuan edhe zhvillimet e fundit politike në vend, përfshirë zbatimin e Ligjit për të huajt dhe dakordimin e datës 14 mars, që sipas njoftimit u vlerësua si momentum pozitiv për rrugën përpara.
Pjesë e bisedës ishte edhe dialogu Kosovë-Serbi, si dhe çështja e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.