Kurti takohet edhe me Damkën, merren vesh që ta vazhdojnë bashkëpunimin
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka takuar sot ministrin në detyrë të Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, i cili u shpreh i gatshëm për të vazhduar bashkëpunimin.
Zyra e Kryeministrit, ka njoftuar se Kurti falenderoi Damkën për punën si ministër.
“Bashkë diskutuan për hapat përpara për formimin e institucioneve të legjislaturës së 9-të të dalë nga zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit. Kryeministri Kurti falënderoi z. Damka për punën si ministër i kabinetit në këtë mandat të plotë të qeverisë dhe për bashkëpunimin e afërt si në qeveri ashtu edhe në kuvend. Të dyja palët shprehën vullnetin dhe gatishmërinë që ky bashkëpunim i frytshëm të vazhdojë edhe në legjislaturën në vijim.
Ky takim u mbajt në kuadër të konsultimeve me partitë politike të komuniteteve joshumicë për formimin e qeverisë së re pas certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Përgjatë ditës kryeministri do të zhvillojë takime edhe me drejtues dhe përfaqësues tjerë të partive të komuniteteve joshumicë që kanë fituar mandat të përfaqësimit në kuvend” – thuhet në njoftim.