Kurti: Reforma në drejtësi është prioritet, tash e 11 muaj po presim vendimin e Kushtetueses për Ligjin për Byronë - NACIONALE

Kurti: Reforma në drejtësi është prioritet, tash e 11 muaj po presim vendimin e Kushtetueses për Ligjin për Byronë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se reforma në drejtësi është prioritet i qeverisë për vitin 2024.

Me këtë rast, ai ka përmendur Vetingun si dhe pritjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Byronë Shtetërore, duke thënë se po presin që 11 muaj.

“Reforma në drejtësi është prioritet i Qeverisë e programit qeverisës, andaj ajo do të vazhdojë të jetë prioritet i Ministrisë së Drejtësisë. Vettingu po merr rrugë, pas Aktgjykimit në fund të vitit që lamë pas, nga Gjykata Kushtetuese. Ky proces përveçse premtim, është domosdoshmëri që na dëshmohet çdo ditë. Krahas tij, e teksa presim tash e 11 muaj për vendim të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, luftën kundër korrupsionit në këtë vit do ta bëjmë edhe përmes themelimit të Byrosë për Konfiskimin Civil dhe funksionalizimit të Task-forcës Anti-korrupsion e të ekipeve të përbashkëta të hetimit.” – ka thënë Kurti në mbledhjen e qeverisë.

Tutje, ai ka theksuar edhe adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës, për të cilin tha se është prioritet.

“Adresimi i krimeve të kryera gjatë luftës si prioritet tjetër i yni, do të vijoj tutje me funksionalizimin e Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë, por gjithashtu, me finalizimin dhe miratimin e Strategjisë për Drejtësinë Tranzicionale. Paralelisht, Ministria e Drejtësisë gjithashtu do të fokusohet edhe në adresimin e dhunës në familje dhe përmirësimin e shërbimeve sociale dhe familjare, ndër të tjera përmes akteve të ndryshme nënligjore, zbatimit të masës për Punësimin e Viktimave të Dhunës dhe mbështetjes së qëndrueshme financiare për strehimoret dhe OJQ-të që ofrojnë shërbimet sociale dhe familjare.” – ka thënë ai.

Lajme të ngjashme