Kurti pret në takim ish-Presidentët Moisiu e Sejdiu
Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se Kurti ka pritur në takim ish-Presidentin e Shqipërisë Alfred Moisiu si dhe ish-Presidentin e Kosovës Fatmir Sejdiu.
Në komunikatën e ZKM-së u tha se u diskutua për politikat e brendshme dhe ato të jashtme, duke shtuar se presidentët iu gëzuan progresit ekonomik të Kosovës.
E plotë:
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot priti në takim ish-Presidentët e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, z. Alfred Moisiu dhe z. Fatmir Sejdiu.
Ai iu uroi mirëseardhjen në kryeministri, pas pjesëmarrjes së djeshme që kishin në konferencën “Balkan Leadership Conference”, të organizuar nga Federata e Paqes Universale në bashkëpunim me Qeverinë e Republikës së Kosovës.
Gjatë këtij takimi u diskutua rreth progresit ekonomik dhe demokratik të Kosovës, për marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri lidhur me projektet e përbashkëta mes dy shteteve, në veçanti ato në fushën e ekonomisë, të cilat e fuqizojnë edhe më shumë lidhshmërinë mes republikave tona.
Gjithashtu, u bisedua edhe për zhvillimet aktuale në rajon dhe botë. Z. Moisiu dhe z. Sejdiu i uruan Kryeministrit punë të mbarë dhe suksese të mëtutjeshme edhe duke iu gëzuar faktit të progresit ekonomik të Kosovës të arritur gjatë viteve të fundit.