Kurti pas takimit me Abdixhikun: Diskutuam për kriteret e presidentit, jo për emra
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se në takimin me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, është diskutuar hollësisht për kriteret dhe standardet që, sipas tij, duhet t’i plotësojë figura e presidentit.
Kurti tha se diskutimi ka përfshirë vlerat dhe parimet, por edhe një vështrim mbi historinë e vendit, sektorë të ndryshëm të shoqërisë dhe profesione të ndryshme.
“Ne sot diskutuam hollësisht e thellësisht për kriteret, standardet që duhet t’i ketë figura presidenciale. Vlerat, parimet. Vëzhguam edhe aspektin e viteve dhe dekadave dhe historisë tonë, shikuam sektorë të ndryshëm të shoqërisë dhe profesione”, deklaroi Kurti në konferencë për media.
Megjithatë, ai nuk dha emra konkretë që mund të jenë diskutuar apo konsideruar për postin e presidentit.
Sipas Kurtit, procesi është “shumë i ndjeshëm” dhe vendimi “tejet i rëndësishëm”, prandaj në këtë fazë palët duhet të zhvillojnë konsultime brenda subjekteve të tyre politike.
“Pa shkuar ne në konsultime në subjektet tona, në këtë fazë nuk mund të them më shumë se kaq. Nuk është ky vendi ku unë mund të flas për emra”, tha Kurti.