Kurti ngushëllon familjen e dy mërgimtarëve që vdiqën dje në aksidentin e rëndë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ngushëlluar familjen Sopaj nga Malisheva, pas vdekjes së dy anëtarëve në një aksident të rëndë trafiku në magjistralen Podujevë-Prishtinë.
Zyra e Kryeministrit njofton se Kurti i ka shprehur ngushëllimet e sinqerta familjes, derisa u ka uruar shërim të shpejtë fëmijëve të lënduar.
Telegrami i plotë i kryeministrit Kurti:
E nderuara familje Sopaj,
Me trishtim e pikëllim të thellë e morëm lajmin për humbjen e jetëve të familjarëve tuaj.
Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim personal, u shpreh
ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje Tuajën kaq të madhe. Fëmijëve të lënduar
u dëshiroj shërim të shpejtë dhe uroj që të tejkalojnë sa më lehtë pasojat e aksidentit.
Republika e Kosovës bashkëndjen me familjen tuaj. Shpresoj të mund të gjeni forcën
për të përballuar dhimbjen tuaj, që është dhimbje edhe e mbarë popullit.
Me mendje e zemër jemi pranë jush, në këto ditë pikëllimi e zie.
Me nderime,
Albin Kurti
Kryeministër i Republikës së Kosovës