Kurti me propagandë për investimet në mbrojtje, i akuzon ish-qeveritë për "mosinvestim"
Në propagandën që ka shoqëruar vitet e fundit diskursin e ish-kryeministrit Albin Kurti, një më të shpeshtat ka qenë ajo e lidhur me Ushtrinë e Kosovës. Kjo narrativë është përdorur vazhdimisht me synimin për të ndërtuar perceptimin se Lëvizja Vetëvendosje qëndron pas transformimit dhe investimeve në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Së fundmi, Kurti e ripërsëriti këtë gjatë një tubimi elektoral në Zvicër me bashkatdhetarë, ku deklaroi se në të kaluarën Kosova kishte më shumë armatim të shpërndarë nëpër oda private sesa në kazermat e ushtrisë. Këtë e paraqiti si dëshmi të drejtpërdrejtë të mungesës së kapaciteteve reale shtetërore për mbrojtje dhe si ilustrim të dobësisë institucionale të asaj periudhe.
Ai shkoi edhe më tej, duke theksuar se në një fazë të caktuar historike, edhe Policia e Kosovës dispononte më shumë armatim sesa forcat ushtarake, një realitet që, sipas tij, e nxirrte në pah domosdoshmërinë urgjente për ndërtimin e kapaciteteve të mirëfillta dhe funksionale ushtarake.
“Bile, më shumë ka pasur armatim e municion nëpër oda sesa në kazerma të ushtrisë”, deklaroi Kurti.
Procesi i shndërrimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një ushtri të mirëfilltë nuk ishte i menjëhershëm, por një rrugëtim i gjatë që nisi që nga shpallja e pavarësisë. Fillimisht, në vitin 2008, Kuvendi miratoi ligjin që themeloi FSK-në, duke ia përcaktuar asaj një mandat të kufizuar. Në atë kohë, forca ishte paraparë vetëm si trupë pa pajisje të rënda ushtarake si tanke apo artileri. Ky kufizim vinte si pasojë e një sitaute komplese të Kosovës dhe rrethanave ndërkombëtare të sigurisë.
Pas gati një dekade përgatitjesh dhe tranzicioni, me ndihmën e SHBA-së dhe NATO-s, më 14 dhjetor 2018 Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshime ligjore që e ngritën FSK-në në nivelin e një force ushtarake shtetërore. Ligji i ri e përcaktonte qartë rolin e saj: mbrojtjen e sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës, si dhe sigurinë e qytetarëve dhe interesave kombëtare.
Po ashtu, në dispozitat e tij theksohet se FSK-ja do të jetë e pajisur me armatim dhe sisteme të nevojshme për kryerjen e detyrave të saj si ushtri moderne. Ky hap përmbylli një proces shumëvjeçar, duke i hapur rrugën investimeve në transformimin nga një force e kufizuar sigurie në një institucion me kapacitete të plota ushtarake.
Aktualisht, FSK po vazhdon planin e tranformimit dhe tani është në fazën e tretë – e cila veç tjerash nënkupton edhe ndërtimin e kapaciteteve ajrore për FSK-në.