Kurti lavdërohet për ligjet e miratuara në qeveri: E kemi fuqizuar barazinë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur para mediave para mbledhjes së qeverisë së sotme.
Kurti është lavdëruar me ligjet e miratuara në 1 vjet e gjysmë qeverisje.
“Javën e ardhshme shënojmë 1 vit e gjysmë të qeverisjes. Për të jetësuar ndryshimin demokratik, vëmë theks mbi rendin dhe ligjin dhe barazinë. Në vetëm 1 të tretën e mandatit kemi kaluar mbi 150 projektligje, ndërsa në gjysmën e parë të këtij viti janë miratuar 87 sosh në Kuvend. Këtë javë ka rifilluar punën Kuvendi, nesër e kemi seancën e parë të Kuvendit vjeshtor”, tha Kurti, transmeton Nacionale.
“Përmes projektligjeve të miratuara, kemi fuqizuar mekanzimat për luftimin e krimit dhe korrupsionit nëpërmjet reformës në KPK, deklarimin më efikas të pasurisë, potencimin e rolit parandalues të AKK-së dhe inicimit të konfiskimit të pasurisë së pajsutifikueshme. Kemi ngritur llogaridhënien ndaj qytetarëve”, tha më tutje ai.
Kurti njoftoi se sot po miratohet Ligji për Institutin e Krimeve të Luftës.
“Dokumentimi i krimeve të luftës janë thelb i këtij Ligji, kam potencuar se krimet e kryera duhet adresuar. Sepse ato janë parakusht për paqe të qëndrueshme e stabilitet. Një shoqëri që nuk harron, si parakusht për pajtimin dhe jetesën e dinjitetshme. Instituti për Krime Lufte do të themelohet në kuadër të Zyrës së Kryeministrit”, theksoi Kurti.