Kurti lajmërohet nga Greqia, tregon se çka tha në Simpoziumin Ndërkombëtar
Në kuadër të edicionit të 25-të të Simpoziumit Ndërkombëtar SYMI, që po mbahet në Greqi, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një bashkëbisedim me ish-Kryeministrin e Greqisë dhe ish-Ministër të Punëve të Jashtme, si dhe ish-Ministër të Arsimit, George Papandreou dhe pjesëmarrësit tjerë në panelet diskutuese ku mes tyre ishte edhe emisari dhe ndërmjetësi europian për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak.
"Kisha kënaqësinë e madhe të hapim panelin për Ballkanin së bashku me Papandreun në Simpoziumin e 25-të vjetor Symi. Falënderova ish-kryeministrin grek dhe MPJ-në për ftesën dhe diskutova për të ardhmen e Kosovës në BE, marrëdhëniet tona me vendet e tjera të Ballkanit dhe Marrëveshjet Bazë me Serbinë", shkroi Kurti në Twittter.
Siç ZKM-ja dhe vet Kryeministri në Twitter, gjatë diskutimit me ish-Kryeministrin grek, Kryeministri Kurti ka prezantuar për audiencën progresin e pretenduar të institucioneve të Kosovës, me një theks të veçantë në përparimin demokratik, ekonomik, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, si dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe të pakicave, politikat sociale dhe pluralizmin politik.
Në fokus të diskutimit gjithashtu ishte marrëveshja bazë me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. ZKM njoftoi se kryeministri Kurti paraqiti përparimin e arritur deri më tani dhe rikonfirmoi përkushtimin e Kosovës për dialogun konstruktiv, në përpjekje për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme dhe të përfitueshme për të dyja palët.