Kurti kërkon presion ndaj Serbisë për hapjen e dosjeve të të zhdukurve
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht nga Bashkimi Evropian, që të ushtrojë presion ndaj Serbisë për hapjen e dosjeve që mund të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Kurti foli pas homazheve te Monumenti i Personave të Zhdukur në Prishtinë, në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë.
“Informacionet na vijnë jo të plota, pastaj na vijnë jo të sakta, dhe është shumë frustruese edhe për organet e shtetit që të bëjmë gjithë këto gërmime dhe të gjejmë megjithatë jo shumë trupa”, tha ai.
Sipas Kurtit, hapja e arkivave në Beograd do ta lehtësonte ndjeshëm procesin e kërkimit.
“Prandaj, hapja e dosjeve të fqinjit tonë verior është jetike për zbardhjen e së vërtetës, për varrimet dinjitoze të më të dashurve tanë e sidomos të familjeve të tyre që presin në ankth”, deklaroi Kurti.