Kurti i ofron mbështetje kompanisë që dyshohet se financoi VV-në dhe akuzohet për abuzim me çmime
Kompania që dyshohet se ka financuar Lëvizjen Vetëvendosje, e cila tani udhëheq qeverinë e Kosovës, u prit sot nga kryeministri Kurti, së bashku me ministren e Industrisë, Ndërmarrësish dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe shefin e stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi.
“Kosmonte Foods” përfitoi 25 hektarë tokë nga Qeveria. Siç raportoi ditë më parë Nacionale, kjo kompani po akuzohet për abuzim me çmime vendore.
Bizneset vendase kanë akuzuar kompaninë në fjalë për vendosjen e çmimeve grabitqare ndaj tyre dhe qytetarëve por e njëjta është përgjigjur duke i mohuar akuzat.
Në këtë takim, kryeministri Kurti u tregua i hapur ndaj prezantimeve të reja të kësaj kompanie rreth ideve investuese
“Kryeministri Kurti e mirëpriti shprehjen e interesimit të partnerëve nga Sllovenia dhe Kosova për të investuar në Kosovë dhe i siguroi investitorët që Qeveria e Republikës së Kosovës është duke u angazhuar maksimalisht që të lehtësojë ambientin e të bërit biznes dhe të investuarit në Kosovë. Kompanitë kredibile ndërkombëtare që sjellin njohuritë me fokus në cilësi, siguri dhe gjurmueshmëri, me rrjetet e tyre të shpërndarjes së produkteve nëpër botë, janë të mirëseardhura për të investuar në Kosovë, tha kryeministri Kurti”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Kompania importuese “Kosmonte Food”, është raportuar të jetë kompani mjaft e afërt me Lëvizjen Vetëvendosje.
Marrëdhënia e kësaj kompanie me Vetëvendosjen daton që kur kjo e fundit ishte në opozitë; Madje u raportua se “Kosmonte Food” ka kontribuar financiarisht në fushatën zgjedhore të Vetëvendosjes.
“Ministrja Hajdari i njoftoi përfaqësuesit e kompanive “Perutnina Ptuj Group” dhe “Kosmonte Foods” për përparësitë konkurruese për të investuar në Kosovë dhe u ofroi mbështetjen institucionale në realizimin e interesimit të shprehur për investim në vendin tonë”, thuhet në njoftim.
Komisioni Ndërministror për Investime Strategjike në janar të këtij viti rekomandoi që kompanisë “Kosmonte Foods” t’i jepet statusi i investitorit strategjik.
