“Kurti gënjeu”: Edhe Baton Haxhiu e quan marrëveshje politike lirimin e Pantiq
Duke komentuar lirimin e ish policit serb Dejan Pantiq nga paraburgimi, gazetari Baton Haxhiu ka kritikuar në Pressing, kryeminstrin Albin Kurti se ka gënjyer publikisht me reagimin e tij si “i çuditur”, për këtë çështje.
Haxhiu ka thënë se, nëse analizohen deklaratat e BE-se, Gjuriqit, Dçiqit e Kurtit, duket se lirimi i Pantiq ka qenë një marrëveshje klasike politike.
“Kur ndalemi i analizojmë deklaratat e BE-së, pastaj Gjuriqit dhe Daçiqit dhe sot të Kurtit, tregon për një marrëveshje klasike politike që pastaj në jetën publike atakohen. Fajësia politike e pafuqia për të ndërtuar qoftë narracion, qoftë veprim politik në veri, shpalli ose vazhdoi me të vjetrën dhe shpalli tradhtarë një gjyqtar dhe një prokuror,” është shprehur Haxhiu.
Ai më tej ka folur për deklaratën e përbashkët të BE-së e ShBA-së, duke thënë se arsyeja pse aty shkruhej se nuk ka në listë njerëz që do të arrestohen për barrikadat, është se kanë marrë garancë nga Kurti.
“Pastaj, ato grupe që janë me maska, brenda deklaratës së BE-së dhe brenda deklaratës serbe, që ishte e shkruar si më një dorë, barrikadat u quajtën paqësore. Njerëzit që janë me maska, nuk janë në listën për arrestim. Domethënë kanë marrë garancë nga Kurti, që s’janë në listën për arrestim dhe pastaj del teatri brenda deklaratës së tij dhe thotë se kush është ai gjyqtar, i cili ka guximin ta lirojë një terrorist," ka thënë Haxhiu, duke pyetur se, "si është e mundur që dikush të gënjejë kaq hapur dhe të ofendojë qytetarët e vet për faktin se ai është garancë e një marrëveshje se nuk ka listë për arrestim dhe në të njëjtën kohë e shpall tradhtar një gjyqtar dhe një prokuror?”
Ndër të tjera, ai është shprehur se është tepër shqetësuese kur instalohet gjuhë e tillë në komunikata ndërkombëtare, që shpallin paqësorë njerëzit me maska.
