Kurti: Fokusi ynë si qeveri është riorientimi i ekonomisë në drejtim të prodhimtarisë vendore
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrur pjesë sot në përurimin e një fabrike të letrës në fshatin Besi të Komunës së Prishtinës.
Kurti deklaroi se po shënohet edhe fillimi i një ndërmarrje të re prodhuese, një investimi të ri.
“Pikërisht ajo që i duhet ekonomisë tonë. Prodhim, investim. Investim në prodhim”, tha kryeministri para të pranishmëve në këtë ceremoni.
Duke kujtuar kohën e pandemisë me COVID-19 dhe sfidat e përballjes me të, ai riktheu në kujtesë edhe udhëzimet e profesionistëve që përpos mbajtjes së distancës, higjienës, dhe maskave, rekomandohej, edhe që në vend të gotave të xhamit e të porcelanit, të përdoreshin gotat një përdorimshe të letrës.
“E sot po përurojmë hapjen e një fabrike të prodhimit të gotave prej letre. Vlera investive kalon shifrën mbi një milion euro me synim të rritjes së potencialit prodhues në të ardhmen. Pandemia ndër të tjera na pati shpërfaqur një defekt serioz të ekonomisë tonë; varësinë nga importi, dhe mungesën e prodhimtarisë vendore, por sikurse ndërmarrësit që shohin shancin në vështirësi edhe qeveritë duhen që në kriza si ajo e pandemisë të shohin mundësi për reforma’’, tha Kurti, njofton qeveria e Kosovës.
Kurti tha se fokusi i Qeverisë është riorientimi i ekonomisë në drejtim të prodhimtarisë vendore, ndërkaq që listoi edhe masat mbështetëse për bizneset në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.
